Banorët përshkruajnë karakterin e lig të kryeministrit Rama

Kristi Pinderi/ Disa banorë të plagosur që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre tek “Astiri” përshkruan dje me detaje momentin kur kryeministri vizitoi në spital policët, gjithashtu të plagosur, të cilët po mjekoheshin në të njëjtën dhomë ku po mjekoheshin edhe banorët e dëmtuar.
Qytetarët nuk i votojnë politikanët bazuar vetëm në karakterin e tyre edhe pse ata përpiqen vazhdimisht të na bindin se kanë një karakter që përputhet me detyrën që kërkojnë të marrin. Ndaj për këtë arsye, të përpiqesh të flasësh për karakterin e kryeministrit ndoshta është humbje kohe. Por në raste krizash, më shumë se aftësia intelektuale apo forca e argumentit dhe konteksti i ngjarjes, është pikërisht karakteri individual i politikanëve që shpjegon veprimet apo mosveprimet e tyre.
Dhe banorët ne spital vizatojnë një karakter të lig të z. Rama. Thotë njëra prej banoreve, znj. Adelina Shehu në një prononcim për syri.net:
Vjen kryeministri dhe drejtohet tek polici. Kishte përballë një zonjë tjetër të lënduar. Dhe ajo i drejtohet: “O kryeministër po si na e bëtë këtë punë kështu?!”
“Ti moj zonjë mos fol fare, se nuk kam ardhur për ty, por kam ardhur për të parë atë vajzën 24-vjeçare, që i keni hequr gishtat e dorës, se është vajzë nënë, si do të vinte sikur të ishte vajza jote dhe të vinte me gishtat e hequr?”
“O kryeministër po dhe unë jam vajzë nënë, nuk më bëri lopa, shikoje këmbën time si jam bërë, pse nuk duhet të më flasësh?!”
“As nuk dua që t’ja di për ju, ju jeni zaptues dhe duhet të zhdukeni një orë e më parë, mos të dukeni më këtu. Ato që kanë letra do të marrin dëmshpërblim, ju do të zhdukeni.”
I thamë po janë fjalët e tua o kryeministër, kur na thatë t’i gëzoni këto shtëpi, kur erdhët të na merrnit votat.
“Nuk është e vërtetë”, – tha, “nuk ua kam thënë këto fjalë.”
Skenën e konfirmon edhe zonja e cila pati atë komunikim me Ramën, znj. Lindita Protodoari. Në linkun më poshtë nga syri.net mund të shikoni videon e plotë./k.p/