Banorët e Unazës së Re zhvendosin protestën përpara Bashkisë së Tiranës
Banorët e zonës së ‘Unazës së Re’ kanë zhvendosur protestën ditën e sotme në sheshin para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar reagimin e institucioneve për situatën e krijuar prej ditësh. Ata kanë lëshuar një lumë akuzash në drejtim të qeverisë teksa protestojnë, në shenjë kundërshtimi për shembjen e banesave të tyre. Me thirrje në kor; “Poshtë diktatura, shtëpitë tona janë me gjak. Turp, turp…”, protestuesit qëndrojnë para bashkisë në pritje të një takimi me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Ndërkohë ata mbajnë në duart edhe pankarta, mesazhe këto drejtuar qeverisë si dhe kryeministrit Edi Rama.
““Shqiponjën e hoqe ne nuk na heq dot”, “Lali Eri ky je fshehur?”, “Shtëpitë tona do ti mbrojmë me duart tanë”, “S’kemi frikë nga presioni i qeverisë””, thuhet në pankartat që mbajnë në duart protestuesit, të cilën shprehen se nuk do të pranojnë shembjen e shtëpive të tyre deri të dëmshpërblehen 100%. Në projektin zyrtar deklarohet prishja e rreth 300 objekteve, ndërsa banorët deklarojnë një numër më të madh objektesh të rrezikuara nga prishja, rreth 490.
Autoritetet vazhdojnë të heshtin, ndërkohë që punimet për zgjerimin e rrugës kanë filluar në rrethrotullimin e njohur si “Shqiponja”, ku para dy ditësh u hoq dhe monumenti i Shqiponjës, një tjetër veprim që ngjalli jo pak debat në opinionin publik. / k.j