Azilkërkuesit, ambasadori gjerman: 999 shqiptarë nga 1 mijë do të kthehen
Ambasadori Gjerman Helmut Hoffman deklaron nga Berati se të gjithë emigrantët që kanë shkuar në Gjermani për të kërkuar azil politik do të kthehen. “999 shqiptarë nga 1 mijë të tillë që kanë shkuar në Gjermani do të kthehen. Emigrantët janë pothuajse të gjithë për arsye ekonomike. Procedurat e verifikimit zgjasin nga 35 muaj. Do u refuzohet azili për arsye ekonomike” sqaron ambasadori.
Hoffman e cilëson shokuese deklaratën e deputetes italiane Daniela Santanche. Sipas saj, Italia duhet të fundosë gomonet që në nisje, ashtu siç bëri me shqiptarët. “Më mirë një akt lufte, se sa një luftë e humbur”, u shpreh deputetja italiane në televizion. Deklarata e saj u bë pas tragjedisë së të dielës, ku kanë humbur jetën jo më pak se 950 persona. Deklarata e deputetes italiane ka shokuar mbarë opinionin publik dhe është bërë objekt debatesh të shumta. Ambasadori Hoffman thekson se nuk mund të flitet për deklarata të tilla.