Dhoma Kombëtare e Avokatisë njoftoi ditën e djeshme mbajtjen e një greve tri ditore në formë proteste kundër vrasjes mafioze të kolegut të tyre Ravik Gurra në qytetin e Elbasanit gjatë ditës së premte. Autorët janë filmuar nga kamera të sigurisë në zonën e ngjarjes por ende nuk janë identifikuar nga autoritetet policore. Avokati Gurra ishte mbrojtës i rastit Shullazi dhe i një sërë rastesh të tjera të bujshme.
Greva pritet të nis ditën e mërkurë dhe pritet të vazhdojë deri të premten.
“Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka marë vendim për të mos marë pjesë në procese gjyqësore për tre ditë të mërkurë, të enjte, të premte dhe çdo avokat që thyen këtë rregull do të ndëshkohet me masë disiplinore”, thuhet në njoftim.
Në njoftim bëhet e ditur se 50-vjeçari Ravik Gurra ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Tiranë dhe theksohet se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës.
Njëkohësisht ditën e djeshme është mbledhur dhe Dhoma e Avokatisë në Elbasan e cila ka vendosur për të bojkotuar punën për një javë./kj