Akuzat për korrupsion, ish-kryeministri maqedonas Gruevski në kërkim nga policia

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, pas njoftimit nga Gjykata Penale se nuk ka mundur ta gjejë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për t’i dorëzuar vendimin e burgosjes, pasditen e djeshme ka lëshuar fletë-urdhërin për arrestimin e tij.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore e Shkupit ka dhënë urdhër për arrestimin e Nikolla Gruevskit. Në datë 12.11.2018 në ora 16:30 gjykata dorëzoi urdhër-arrestin në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup.. Menjëherë pas dorëzimit, MPB-ja vepron sipas kërkesës.”, raporton Alsat.
Gjithsesi autoritetet policore nuk po munden të lokalizojnë ish-kryeministrin. Sipas mediave vendase, truprojat e tij shprehen se e kanë parë Gruevskin për herë të fundit mbrëmjen e të enjtes së 8 nëntorit. Mbi Gruevskin rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.
Javët e fundit, kanë qenë të shumtë deputetët dhe politikanët që janë larguar nga VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit, për tu distancuar nga qëndrimet e partisë kundër marrëveshjes së emrit por dhe akuzave për korrupsion për të tjerë zyrtarë të partisë.
Nikolla Gruevski është i pari politikan i të tillave përmasa në rajon, për të cilin kërkohet arrest me burg. Qeveria aktuale e Maqedonisë është zotuar për përparimin e vendit në fushën e integrimit europian dhe një nga kriteret kryesore të anëtarësimit është lufta kundër korrupsionit dhe zyrtarëve të korruptuar. /k.j