Aksidenti në minierën e Samir Manes i merr jetën 27-vjeçarit!
Bulqizë
Një ngjarje e rëndë është shënuar të premten e 28 majit në Bulqizë.
Edi Alla 35-vjeç ka humbur jetën teksa punonte në një galeri kromi.
Ai po punonte në nivelin e 18 në njërën nga minierat në pronësi të biznesmenit të njohur Samir Mane, teksa mësohet se një masiv shkëmbor është shkëputur duke i marrë jetën në vend të riut.
Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Bulqizës, por ka arritur atje i vdekur.
Dhjetëra viktima janë shënuar vitet e fundit në Bulqizë në minierat e kronit.
Bulqiza ende mbetet një ndër qytetet me nëntokën më të pasur të Shqipërisë por me një popullsi ndër më të varfërën, me të ardhurat për frymë.
Kompania ‘Albchrome’ ka dhënë shpegime të pakëta, mbi aksidentin e ndodhur pasditen e sotme në një nga galeritë e saj.
Sipas kompanisë, aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë gjatë punimeve në armatimin e galerisë, ndërsa fajin edhe këtë herë ia hedh viktimës.
‘Albchrome‘ thotë se në këtë çast duhen respektuar zija e ndjenjat e të afërmve të familjarëve të minatorit ndërsa në një çast të dytë do ketë një analizë të plotë mbi shkaqet e ngjarjes.
“Një aksident ka ndodhur sot në minierën e Bulqizës. Një minator me profesion armator ka gjetur vdekjen si pasojë e aksidentit në nivelin e 18 të minierës. Minatorët e pranishëm tregojnë se aksidenti ka ndodhur si pakujdesi gjatë punimeve për armatimin e galerisë. Një katror i armatimit e ka zënë poshtë minatorin me iniciale E. A. duke i shkaktuar vdekjen. Në këto momente jemi thellësisht të tronditur nga aksidenti dhe humbja e jetës e kolegut dhe shokut tonë dhe e gjithë vëmendja jonë është e përqëndruar te familjarët e viktimës, ndaj të cilëve Albchrome shpreh ngushëllimet më të ndjera. Në këtë moment duhen respektuar zija dhe ndjenjat e të afërmve dhe familjarëve të minatorit tonë. Në një moment të dytë do të ketë një analizë të plotë dhe të detajuar mbi shkaqet e ngjarjes.” – thuhet në reagimin e Albchrome.
Ndërkohë ka reaguar edhe Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, e cila nuk jep detaje të hollësishme të vdekjes së minatorit.
“DITË TRAGJIKE PËR MINATORËT DHE QYTETIN E BULQIZËS
Eltjon Alla, 35 vjeç, minator në Nivelin e 18 në minierën e Albchrome, u aksidentua sot me pasojë vdekjen. Lajmi i vdekjes në punë të Eltit na ka tronditur thellësisht të gjithëve, minatorë dhe qytetarë të Bulqizës, miq, shokë dhe të afërm të tij.
Aksidentet në punë po bëhen pothuajse të përditshme e përherë e më të rrezikshme në minierat e Bulqizës, ndërkohë shteti dhe kompanitë vazhdojnë të fajësojnë punëtorët, duke mos ndërmarrë asnjë hetim apo përmirësim serioz të kushteve të punës.
I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Eltjonit, si dhe kërkojmë të mbahet përgjegjësi për këtë tragjedi të radhës.”-thotë ne reagimin e saj SMBB.
Më radikale ka qenë reagimi i Organizatës Politike, e cila ndryshe nga Sindikata e Minatorëve ka përmendur me emër kompaninë në të cilën ndodhi aksidenti por edhe pronarin e kompanisë.
Reagimi i OP
VDES NJË MINATOR NË GALERINË E SAMIR MANES
Sot pasdite vdiq gjatë punës minatori 35-vjeçar Eltjon Alla. Aksidenti ka ndodhur në nivelin e tetëmbëdhjetë të galerisë më të madhe të Bulqizës, të administruar nga kompania Albchrome në pronësi të oligarkut Samir Mane. Siç pritej, kompania ka nxituar t’ia hedhë fajin viktimës. Pritet që edhe policia dhe prokuroria të përsërisin versionin e padronit të Shqipërisë.
Kujtojmë se kompania Albchrome shquhet për përndjekjen e minatorëve që kërkojnë të drejtat e tyre, siç ndodhi me pushimin nga puna të sindikalistëve Elton Debreshi, Beqir Duriçi, Ali Gjeta dhe Behar Gjimi në vitin 2019. Asokohe Organizata Politike nisi një fushatë denoncimesh dhe aksionesh publike kundër oligarkut Samir Mane i cili, përveçse luan me jetën e minatorëve, ka shtënë në dorë qeverinë, partitë joqeveritare dhe 99% të mediave në vend.
Eltjoni nuk është i pari minator që bie viktimë e grykësisë së “Lugatit të Bulqizës” dhe pronarëve të tjerë të kromit. Fatkeqësisht nuk ka për të qenë as i fundit përderisa nuk bëhen bashkë të gjithë minatorët për të imponuar me forcën e kolektivit të drejtën e jetës dhe punës së dinjitetshme.
Në Bulqizë dhe në mbarë Shqipërinë ka vetëm një rrugë që puna ta pasurojë jetën në vend se ta marrë atë: ORGANIZIMI SINDIKALIST.
Siç jemi prej vitesh në krah të minatorëve, ne aktivistët e Organizatës Politike jemi të gatshëm të solidarizohemi dhe ndihmojmë aktivisht çdo grup punëtorësh, në çdo sektor të ekonomisë, për t’u organizuar dhe fuqizuar në vendin e punës./ HistoriaIme