35 vite burg për Kostandin Xhuvanin, gjykimi i shkurtuar shpëton nga burgimi i përjetshëm autorin e vrasjes së katërfishtë
Kostandin Xhuvani, autor i vrasjes së katërfishtë më 4 nëntor 2014, mori sot nga gjykata dënimin me 35 vite burg, duke përftuar nga gjykimi i shkurtuar.
Sipas vendimit të sotëm, djalit të ish-deputetets Luiza Xhuvani i hiqet e drejta e lirimit me kusht.
I pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, që u pranua nga Gjykata, duke shpëtuar të akuzuarin nga burgimi i përjetshëm. Gjykata e dënoi Xhuvanin edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Vendimi u mor një ditë pasi i pandehuri kërkoi ndjesë për familiet e viktimave.
Ndjesa e Xhuvanit është fjalia e parë e konkluzioneve të mbrojtjes, të depozituara prej tij në Gjykatë në seancën e djeshme, 9 Mars.
Xhuvani argumenton se të gjitha veprimet e tij janë kryer pa dashje, pa vullnet dhe pa ndërgjegje për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe të drogës.
Kostandin Xhuvani, i pranishëm sot në leximin e vendimit nga ana e Gjykatës dëgjoi në heshtje vendimin për 35 vite burg.