30 vite më marë, më 2 Korrik 1990, kur ende në Shqipëri nuk flitej për pluralizëm politik dhe lëshimet e Partisë së Punës në pushtet mbeteshin vetëm në letër, dhjetëra familje e qytetarë mësynë ambasadat e huaja në Tiranë, duke u ndjekur nga mijëra të tjerë dhe duke bërë thirrje për hapjen e menjëhershme të vendit dhe krijimin e shanseve të barabarta për të ardhmen e tyre.
E nëse në vitet 1990, mësymja e Ambasadave u pa si pjesë e revolucionit të Evropës Lindore, ku me rënien e perdes së hekurt, herët a vonë dhe Shqipëria duhej t’i bashkohej rrugës së pluralizmit politik dhe shembjes sv regjimit komunist, pamje si ato të 2 Korrikut, i kemi parë shpesh herë në këto 30 vite, e duket se trendet e largimit nga vendi do të na prodhojnë sërish pamje të tilla për shumë vite në vazhdim.
Vitet e fundit po flitet për një eksod të dytë të shqiptarëve drejt Evropës, me shifra të larta azil-kërkuesish ekonomikë dhe studentë e të rinj që largohen me kontrata pune drejt vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
Rradhët e gjata të studentëve dhe qytetarëve të interesuar për viza pune jashtë Ambasadës së Gjermanisë, Greqisë, Italisë dhe Bullgarisë janë një pamje normale për banorët e kryeqytetit, por edhe shifrat e trendeve të emigracionit ndër të rinj dhe dëshirës së tyre për të larguar, nuk janë aspak optimiste.
Disa ditë më parë, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit publikoi të dhënat e Barometrit Ballkanik, ku në pyetjen mbi konsiderimin e të larguarit nga vendi, 49% e shqiptarëve të pyetur ju përgjigjën pozitivisht.
Në lidhje me largimet, Instituti Epik nga Kosova ka krahasuar trendin e numrave me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, ku shfaqet grafikisht dhe mungesa e koherencës mes deklaratave të kryetarit të qeverisë dhe shifrave.
Në vitin 2013, kur ishte ende në opozitë, Rama e shihte emigracionin e shqiptarëve si një thirrje për ndryshim të sistemit politik. Ndërkohë me rritjen e shifrave, gjithnjë e më shumë emigracioni po perceptohej si trend normal largimesh dhe jo si pakënaqësi me zhvillimin ekonomik të vendit.
Vitet e fundit, kjo retorikë është shtuar.
Në një konferencë mbi emigracionin, në vitin 2018 Kryeministri Edi Rama deklaroi se: “Shqiptarët nuk largohen për azil politik, por janë të njëjtat arsye që largohen edhe polakët, rumunët apo kroatët. Mbi 50 mijë persona u larguan vitin e kaluar nga Kroacia që është vend i BE, por ata nuk quhen si azilkërkues, por forcë e lirë punë.” Ai shtoi se: “..nëse nga Kroacia u larguan 50 mijë persona, nga Shqipëria janë larguar vitin e kaluar vetëm 39 mijë vetë, pavarësisht propagandës. “
Integrimi në Bashkimin Evropian si zgjidhje?
Trende të tilla në fakt shihen ende në shumë vende të lindjes, me Rumaninë në krye, që ndiqet nga Bullgaria dhe Kroacia, që edhe pse pjesë e Bashkimit Evropian, privilegjet e tyre si pjesë e unionit po i shfrytëzojnë për mundësi të reja punësimi dhe jetese jashtë vendit.
Në vitin 2017, raportohej nga Eurostat se më tepër se 2.3 milionë shtetas rumun dhe 533.000 shtetas bullgarë ishin zhvendosur nga vendet e tyre në një tjetër shtet të Bashkimit Evropian. Trende shqetësuese paraqet dhe Kroacia.
Pabarazia ende e madhe mes lindjes dhe perëndimit brenda kontinentit evropian, duket se ka krijuar dhe shumë pakënaqësi në këto shtete, të cilat ende nuk janë pjesë e Zonës Schengen dhe i duhen natyrshëm viza pune për të emigruar. Por pas 13 vitesh integrim të Bullgarisë dhe Rumanisë, dhe 7 vitesh integrim të Kroacisë në Bashkimin Evropian, vende skeptike si Holanda apo Franca, ende refuzojnë të ndërmarrin hapa të mëtejshme për futjen e këtyre vendeve në zonën Schengen.
Duke rikthyer vëmendjen te Shqipëria, skenari i përmendur më sipër është një prej arsyeve pse vendet e Bashkimit Evropian ende e shohin si të largët integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Në mungesë të një date konkrete, procesi i reformimit brenda BE duket se e ka zhvendosur në një plan të dytë atë të zgjerimit.
Shqetësuese janë shifrat dhe për grupet e margjinalizuara në vend, të cilët emigracionin e shohin si të vetmen zgjidhje për problemet e tyre, kryesisht diskriminimin dhe përjashtimin social.
Në një studim të realizuar nga Qendra Streha mbi perceptimet e komuniteteve të margjinalizuara në vend mbi perspektivat e integrimit evropian, 81.1% e të intervistuarve deklarojnë se kanë menduar të largohen nga vendi dhe 74.1% e tyre shohin emigracionin e paligjshëm si mundësinë më të mirë për tu larguar. Arsyeja kryesore e emigrimit është pamundësia ekonomike.
Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, në parashikimin më pesimist, në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë pritet të tkurret në 860.000 banorë, ndërsa në skenarin normal ajo parashikohet të jetë rreth 1.6 milionë banorë. Ndërsa në parashikimet e Bankës Botërore, deri në vitin 2047, parashikohet që emigracioni neto të vazhdojë me të njëjtat ritme, pra çdo 5 vjet të ikin (neto) nga vendi rreth 40 mijë persona, duke e çuar numrin total të të larguarve (duke zbritur ata që kthehen) në 280 mijë persona.
Por pavarësisht këtyre të dhënave, ende nuk ka një strategji të qartë të autoriteteve për të ndaluar apo ngadalësuar ritmin e largimeve nga vendi dhe data 2 Korrik ende mbetet në suazën e festës kundër diktaturës, pavarësisht se dëshira për tu larguar nuk duket të ketë ndryshuar.
Burimi i fotos: Ambasada e Gjermanise ne Tirane