Java që lam pas, ishte java e fundit e punës për këtë vit.
Ndërsa me miliona njerëz përgatiten për festat e fundvitit, në shumë vende të Bashkimit Europian viti 2019 shënoi padyshim një vit paqartësish politike.
Viti 2019 nisi me protestat e dhunshme në Francë. Lëvizja e jelekverdhëve, krijoi disa nga pamjet më përfaqësuese të vitit 2019 për BE-në, një tym paqartësish krijuar mes përplasjeve politike, ideologjike dhe lëvizjeve për drejtësi sociale dhe reformim politik.
Bashkimi Europian mbajti zgjedhje në kushte të reja, me ekonominë e tretë më të fuqishme të unionit, që shtynte Brexit afat pas afati. Në zgjedhje u pa një rritje e populizmit dhe përkrah tij ndjeshëm u rrit dhe progresivizmi i të gjelbërve dhe liberalëve.
Një grua drejton tashmë Bashkimin Evropian, një figurë e cila ende mban në shpatullat e saj dëshirën për një rijetëzim të projektit Europian, rikthimin te epoka e artë e “bashkimit në diversitet” dhe e vlerave të përbashkëta pro-demokratike, që u zbehën ndjeshëm në disa shtete anëtare gjatë muajve të shkuar.
Një Hungari autoritare, e cila brenda BE-së bën thirrje për rikthim te nocioni i madhështisë së identitetit kombëtar. Polonia me qeverinë populiste të rikonfirmuar në zgjedhjet e fundit, me një gjyqësor të shënjestruar nga qeveria dhe largim nga vlerat liberale europiane.
Franca e përfshirë nga protesta dhe greva të përgjithshme kundër një reforme shumë të kontestuar të pensioneve dhe Malta nga ana tjetër, me një qeveri të larguar nga protestat, pas skandaleve të korrupsionit dhe përfshirjes së autoriteteve në vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia në vitin 2017.
Liderja de-facto e Bashkimit Evropi0an, kancelarja gjermane Angela Merkel, po përgatitet për largimin nga skena politike, duke u zëvëndësuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili larg predikimeve të tij si pro-europian në fillimet e karrierës politike, tashmë po krijon një sërë paqartësish mbi drejtimin që BE duhet të marrë në dekadën e ardhshme. Prej vitesh po diskutohet për një reformim të brendshëm të Bashkimit Evropian, por asgjë nuk ndodh përpos samiteve dhe deklaratave të përsëritura për reformim.
Ndikimi i Rusisë është një tjetër problem që sa vjen dhe zgjerohet, me një diplomaci të heshtur evropiane gjatë këitj viti ndaj qëllimeve të Rusisë në Europë, së cilës muajt e fundit ju shtuan dhe vetë deklaratat e Macron mbi një largim të vëmendjes që NATO ka drejt Rusisë.
Viti 2020 do nisë me largimin e zyrtarizuar tashmë të Britanisë së Madhe më 31 Janar, i cili do të krijojë polemika të shumta dhe mund të sjellë madje dhe përsëritjen e skenarit të Katalonjës në Skoci.
Presidenca e Kroacisë, shtetit më të ri të Bashkimit Evropian, vëmendjen do ta risjellë te Ballkani, një tjetër problem i pazgjidhur i cili me shumë gjasa do të shtrihet përtej dekadës së ardhshme.
Emergjenca Klimatike është një tjetër problem i rrethuar nga tymi i paqartësisë, i cili për herë të parë në disa vite nuk do të sjellë Krishtlindje të bardha në shumë vende të BE-së.
Gjithçka mbetet për tu parë nga janari e në vijim.
Burimi i fotos: needpix