Miliona njerëz në mbarë botën janë izoluar për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit të ri CIVID-19, ndërsa numri i rasteve të infektuara ka kaluar 1.5 milionë persona, ndërsa ai i vdekjeve ka kaluar 90.000 persona.
Shtetet në mbarë botën po marrin masa kufizuese, ndërsa Shqipëria është konsideruar si vendi me masat më të rrepta në Europë, bazuar edhe nga propozimet e fundit të mazhorancës për disa shtesa në Kodin Penal.
Kështu, disa deputetë të PS, kanë propozuar disa ndryshime në Kodin Penal për masat ndëshkuese për personat që shkelin karantinën, ndërsa këto masa shkojnë nderi në 15 vite burg.
Nisur nga këto propozime, 31, organizata të Shoqërisë Civile, kanë ngritur alarmin se këto propozime cënojnë dinjitetin e njeriut, dhe janë në shkelje të të Drejtave të Njeriut, dhe janë proporcionale, dhe kësisoj kanë kërkuar nga Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi t’i rrëzojnë në parim të gjitha amendamentet e propozuara.
“ Në këto dispozita është shqetësues fakti që nuk bëhet asnjë dallim sa i takon subjektit që kryen këto vepra nëse është mbartës ose jo i sëmundjes infektive. Formulime të tilla mund të çojnë në vlerësime të ndryshme arbitrare dhe në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve. „-shkruhet ndër të tjera në deklaratën e Organizatave të Shoqërisë Civile.
Gjithashtu këto organizata kujtojnë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.47 të vitit 2012 që ka deklaruar antikushtetues dhënien e dënimit kryesor me gjobë, krahas dënimit me burg.
Deklarata e Plotë:
Tiranë, më 10 Prill 2020
DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR MEDIANORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE: “DËNIMET E PROPOZUARA NË KODIN PENAL PËR PARANDALIMIN E PANDEMISË #COVID19 CËNOJNË TË DREJTAT DHE LIRITË THEMELORE TË SHTETASVE”
Në emër të një grupi organizatash të shoqërisë civile dëshirojmë të vlerësojmë në tërësi masat e marra nga qeveria për parandalimin dhe luftën ndaj pandemisë globale #Covid19 në vendin tonë.
Bazuar në deklaratat zyrtare dhe ato të stafit mjekësor, këto masa shtrënguese kanë kontribuar në një numër më të ulët të shtetasve të infektuar në Shqipëri. Shumica dërrmuese e qytetarëve është ndërgjegjësuar dhe kanë zbatuar me korrektesë masat parandaluese që janë marrë deri më tani prej institucioneve përgjegjëse, në të njëjtën linjë me qytetarët në vendet e BE-së.
Në kushtet kur organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut po rekomandojnë në mbarë globin uljen e popullatës në sistemin e burgjeve, për shkak të rrezikut të shtuar që kanë shtetasit e privuar nga liria në institucionet e mbyllura për t’u prekur nga Covid 19, në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohen propozime ligjore që vijnë në kundërshtim me këto rekomandime.
Organizatat që ne përfaqësojmë ngrejnë sot shqetësimin për ndryshimet e fundit të propozuara në Kodin tonë Penal, të cilat dënojnë penalisht disa forma të mosbindjes së qytetarëve ndaj masave të organeve kompetente shtetërore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore (neni 242/1) dhe disa forma të shkeljes së rregullave të karantinës për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive (242/2). Në vlerësimin tonë, dënimet penale të propozuara në Kodin Penal janë jo proporcionale, nuk respektojnë parimin e humanizmit të parashikuar në nenin 1/c të Kodit Penal si dhe cenojnë liritë dhe të drejtat e shtetasve.
Në këtë situatë emergjence, në emër të organizatave që ne përfaqësojmë i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të rrëzojë në parim amendamentet e propozuara, veçanërisht nenin 242/2, bazuar në argumentat e mëposhtëm:
1 – Duke qenë se Kodi Penal bën pjesë në kategorinë e akteve që miratohen me shumicë të cilësuar, ndryshimet e tij nuk mund të bëhen në asnjë rast nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar. Kjo mbështetur në nenin 83, pika 3 e Kushtetutës ku ndalohet zbatimi i procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë miratimin me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit me përjashtim të ligjit për gjëndjen e jashtëzakonshme (shih Vendimin e Gj.Kushtetuese nr. 5, datë 05.02.2014).
2 – Për rastet kur qytetarët shkelin urdhërat e organeve publike për masat e marra në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte normative që parashikojnë sanksione administrative.
3 – Propozimet ligjore parashikojnë dënime tejet të ashpra që shkojnë deri në 15 vite burg dhe cenojnë dinjitetin njerëzor, në kushtet kur ritheksojmë se shumica dërrmuese e shtetasve shqiptarë janë kufizuar nga liria e lëvizjes dhe po qëndrojnë të izoluar në banesat e tyre. Këto dënime janë jopropocionale, pasi çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit (Shih vendimet e Gj.Kushtetuese nr.19, datë 01.06.2011 dhe nr. 9, datë 26.02.2016).
Dënimi penal i çfarëdolloj natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Ndërkohë, dispozitat që kërkohen të miratohen në Kuvend kanë si qëllim vetëm ndëshkimin për efekt të parandalimit të përhapjes së infeksionit Covid 19.4 –
Në këto dispozita është shqetësues fakti që nuk bëhet asnjë dallim sa i takon subjektit që kryen këto vepra nëse është mbartës ose jo i sëmundjes infektive.
Formulime të tilla mund të çojnë në vlerësime të ndryshme arbitrare dhe në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve. 5 – Këto propozime krahas parashikimit të dënimeve të ashpra parashikojnë në të njëjtën kohë dy dënime kryesore, dënimin me gjobë dhe dënimin me burgim.
Sjellim në vëmendje se Gj.Kushtetuese, me vendimin nr.47 të vitit 2012 ka deklaruar antikushtetues dhënien e dënimit kryesor me gjobë, krahas dënimit me burg. Ky parashikim nuk është në proporcion me gjendjen që e ka diktuar si dhe bie ndesh me parimin e individualizimit të dënimit e si rrjedhojë me parimin e dhënies së drejtësisë nga ana e gjykatës, pasi i heq kësaj të fundit mundësinë e përcaktimit, rast pas rasti, të dënimit penal sipas rrethanave të çështjes konkrete në shqyrtim.
Në përfundim, ne besojmë se parimi i humanizmit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor i sanksionuar që në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë duhet të mbizotërojë mbi çdo nismë që shqyrtohet në Kuvend, aq më tepër në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Organizatat nënshkruese (të renditura sipas rendit alfabetik):
1. Aleanca LGBT
2. Birn Shqipëri
3. Civil Rights Defenders (CRD)
4. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA)
5. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF)
6. Gratë në Shërbim Publik (WPS)
7. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
8. Instituti i Studimeve Politike (ISP)
9. Instituti i Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL)
10. Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)
11. Instituti i Migracionit Zhvillimit dhe Integrimit
12. Këshilli Shqiptar i Medias
13. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH)
14. Lëvizja Rinore Egjyptiane & Rome (LRER)
15. Lëvizja për Zhvillimin e Turizmi, Ksamil
16. Në dobi të gruas shqiptare
17. Nisma e Luleve
18. Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
19. Pro LGBT
20. Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC)
21. Qendra ALTRI
22. Qendra Europiane
23. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri)
24. Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
25. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ)
26. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
27. Qendra TREJA
28. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
29. Rrjeti i Profesionistëve të Rinj
30. Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
31. Shoqata Together for Life