Nata është e jona

Dhjetëra aktiviste e qytetarë protestuan të premten e 8 marsit në Tiranë.
Duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, aktivistet e nisëm marshimin nga Qytet Studenti për të vijuar më tej në rrugët kryesore të Tiranës.
“Kemi vendosur logon “Nata është e jona”, sepse nata është pjesa më e frikshme për një grua, e cila ndonjëherë natën ka frikë të shkojë nga puna në shtëpi, ka frikë të ecë lirshëm natën. Rrugët nuk iu përkasin vetëm meshkujve, por edhe femrave. Momenti i errësirës është ai moment kur ajo mund të dhunohet, grate nuk janë të sigurta. Duhet të ndërgjegjësohen të gjithë, sepse liria e grave është në fund të ditës demokraci më e mirë”, deklaroi aktivistja Zhaklin Lekatari.

‘Ndërsa Shqipëria kapërcen mes shifrave renditjet globale gjinore, përditshmëria e grave në vendin tonë kompromentohet çdo ditë nga dhuna patriarkale.”-thuhet në deklaratën e Kolektivit Feminist e cila e organizoi marshimin.
Gjatë fjalës së saj aktivistja Deni Sanxhaku u shpreh se: Marshojmë sot për liri dhe të drejta të plota! Qëndrojmë krah për krah njëra-tjetrës për veten dhe vjazat dhe gratë e tjera. Liria si çlirim prej frikës, frikës ndaj dhunës fizike, shtypjes, margjinalizimit, izolimit, frikës së të shprehurit lirshëm, të jetuarit ndryshe, frikë nga paragjykimet, frikë për jetën.
Marshimit iu bashkuan edhe dhjetëra aktivistë të komunitetit LGBTQ+.

Aktivistja Edlira Mara tha se “Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, ne festojmë forcën dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave në mbarë botën duke protestuar. Protesta është dhurata më e madhe që mund tu japim vajzave dhe grave të ardhshme. Në Shqipëri, ne dhe gjithë motrat tona përballemi me rrezik nga ata që duhet të na duan dhe mbështesin, fajësohemi padrejtësisht për mëkatet shoqërore dhe shteti dështon në mbrojtjen e tonë.
Sot, le të bashkohemi në solidaritet për sigurinë e grave shqiptare, përfshirë gratë LBT. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikë dhe është koha për të kërkuar një shoqëri që i vlerëson dhe i mbron ato. Së bashku, le të kërkojmë dhe ndërtojmë një të ardhme ku çdo grua, pavarësisht identitetit të saj, të jetojë pa frikë dhe të gëzojë dashurinë dhe kujdesin që meriton.”

Organizatorët u shprehën se marshojnë për të gjitha gratë, kundër shtypjes së shumëfishtë të tyre në rendin patriarkal, kapitalist, racist e heteronormativ. Gratë dhe vajzat meritojnë një shoqëri ku ndihen të sigurta e trajtohen me dinjitet të plotë.
Në marshim u theksua edhe u kërkua mbrojtje më e fortë ligjore ndaj femicidit, trafikimit, shfrytëzimit dhe dhunës me bazë gjinore.

Aktibvistët kërkuan sanksionimin e dënimeve maksimale për vrasësit, trafikuesit, shfrytëzuesit dhe dhunuesit e grave dhe dënime maksimale për autorët e krimeve ndaj grave në hapësirën kibernetike.
Një kërkesë e re kishte të bënte me dhunën online ku Kolektivi Feminist tha se: Kërkojmë parashikimin e shantazhit seksual dhe përndjekjes në hapësirën kibernetike si vepra penale. Çdo grua meriton të shprehet lirisht online pa frikën e hakmarrjes dhe shantazhit./ HistoriaIme