Muralja: Një provokim apo një vepër arti e keqinterpretuar?

Nga: Xheni Shehaj
Prej disa ditësh tashmë rrjetet sociale po gëlojnë nga debati që hapi një pastor në lidhje me muralen e pikturuar në Qytet Studenti. Debati shkoi deri aty sa u pa e nevojshme që dy fjalë për veprën e tij t’i thoshte dhe vetë autori, Sasha Primo. Ai iu bashkua panelit të diskutimit (përmes skypes nga Argjentina) ku bënin pjesë dhe pastor Paulin Vilajeti dhe pedagogu e artisti Ardian Isufi.
Sasha tha se kishte qenë në Shqipëri për Mural Fest dhe se e dinte që fasada ku do të pikturonte ishte Kampus Universitar. Ai shtoi se për shkak të përmasave që fasada kishte i vinte për mbarë të punonte në të. Personi i pikturuar nuk ishte i njohur, autori ishte frymëzuar nga një grua e komunitetit rom.
Po përse ngjalli kaq shumë debat muralja?
Për një pjesë të shoqërisë ajo murale është e lidhur me komunitetin LGBT+. Piktura u ngjason me një person transgjinor. Vetë autori i veprës theksoi se frymëzimi për të kishte qenë një grua e komunitetit rom por nëse publiku sheh një person transgjinor për të është në rregull. Gjithsecili ka një mënyrë të tijën se si e sheh dhe e interpreton një vepër arti. Sasha u shpreh se e mbështet komunitetin LGBT+ dhe nëse muralja e pikturuar prej tij i atribuohet komunitetit në fjalë për të nuk përbën asnjë problem.
Por çështja duket se merr përmasa të mëdha kur pastori ndërhyn dhe shprehet i fyer pasi sipas tij muralja jo vetëm që i ngjason me një person transgjinor por është pikturuar në formën e kryqëzimit. Gruaja e murales këmbët i mban të mbledhura, trupin drejt dhe duart të hapura si për fluturim. Anash saj është një zog me krahët hapur. Mesazhi është tejet i qartë: një grua gati për t’u ngritur në fluturim. Ndjenja e çlirimit, e fluturimit, e paqes janë mesazhi i veprës. Edhe nëse gruaja e ngritur në fluturim i përket komunitetit rom, atij LGBT+ apo kujtdo tjetër muralja nuk tregon asgjë me tepër veç forcës, kurajos, lirisë dhe ky mesazh është për t’u duartrokitur pasi lidhet me optimizmin, pozitivitetin.

Një grua rome që mes gjithë vështirësive që ndesh gjen forcën të fluturojë.
Një grua që lufton çdo ditë për të gjetur vendin e saj në shoqërinë ku jeton.
Një person transgjinor që përtej gjithë diskriminimit, bullizmit, problematikave që has në jetën e vet gjen guximin të ngrihet në fluturim.
Çfarëdolloj interpretimi ti bëhet murales, në fund mesazhi është një: Njeriu gjen forcën të ngrihet në fluturim përtej çdo vështirësie. Arti mbetet art, arti krijohet për publikun, publiku e shijon atë, mund të ketë mijëra interpretime që nuk ia heqin aspak vlerën veprës.