Mund të jesh edhe besimtar edhe LGBTQ+

Ishte viti 2016 kur Dario aso kohe 19-vjeç hyri për herë të parë në një xhami.
Ai nuk ishte besimtar, por edhe pse vinte nga një familje muslimane ai nuk dinte pothuajse asgjë për fenë. Nxitja për të shkuar në xhami erdhi nga një familjar i tij.
“Ishte djali i xhaxhait tim, ne ishim pothuajse në të njëjtën moshë, dhe ai gjithnjë më fliste për fenë, dhe më tregonte histori që më janë dukur sa filozofike, aq edhe interesante”-shpjegon Dario.
Sot pas 7 vitesh, Dario ende vijon të frekuentojë objektet e kultit të fesë muslimane, edhe pse jo vazhdimisht, ai nuk e fsheh të qënurit besimtar dhe praktikat deri diku.
“Xhamia është mbi të gjitha një vend ku unë gjej qetësi, dhe lidhja me krijuesin mendoj se aty përforcohet”-thotë ai tanimë 26 vjeç.
Për të qënurit edhe LGBTQ+ edhe besimtar, janë dy gjëra që mund të bashkëjetojnë së bashku.
“Zoti është i rëndësishëm për të gjithë, unë mendoj se zoti është i rëndësishëm edhe për ateistët. Por pavarësisht kësaj, unë mendoj se lidhja shpirtërore me Zotin, është diçka krejt intime, krejt personale, dhe askush, kurrë nuk mund të më thotë se ‘ti je gej dhe nuk mund të hysh në xhami”
Ai thotë se nga librat e shenjtë që ka lexuar, në asnjë vend nuk e ka hasur ndalimin për të frekuentuar objektet e kultit nga askush.
“Zoti ka dashuri për të gjithë, nga njerëzit e devotshëm deri tek mëkatarët më të mëdhenj”-thotë 26 vjeçari.
Ai shprehete më tej edhe për drejtuesit fetarë që zgjedhin të predikojnë urrejte dhe nxisin gjuhën e urrejtes për komunitetin LGBTQ+.
“Shpesh herë jam nderë keq kur imamë të ndryshëm predikojnë urrejtjen, dhe flasin kundër komunitetit LGBTQ+. Është e gabuar mendoj unë, është tërësisht jofetare, dhe tërësisht në kundërshtim me udhëzimet e zotit”-thotë ai.
“Nëse i referohemi prijësve islam, kryefjala e tyre ka qenë paqja, dashuria dhe shpërndarja e fesë, ndërsa sot, mijëra vjet më vonë, imamët flasin për urrjetje, shkatërrim, dhe nxisin dhunë ndaj komuniteteve të caktuara.”-shton i riu.
Askush nga familja e tij nuk e di për orientimin e tij seksual, por për të e di ai që e drejtoj për herë të parë në xhami.
“Unë I kam treguar djalit të xhaxhait tim, që e kam më shumë si vëlla, si shkok, për orientimin tim, dhe sigurisht që ai më ka mbështetur, sepse një besimtar i vërtetë siç është ai nuk mund as të urrejë, e as të mallkojë”.
Ndryshe është situata me Xhonin, një i ri i cili vjen nga një familje muslimane, por ka qenë më herët i besimit ortodoks e tani thotë se deklarohet si spiritualist pagan.
“Unë kam kaluar disa besime, kam qenë githmonë në kërkim të zotit. Disa vite më parë rashë në kontakt me kishën ortodokse, dhe që në fillim kuptova se ndihesha mirë atje”-shprehet Xhoni, duke thënë se besimi ortodoks ka ndikuar shumë tek ai.
“Ishte hera e parë që bija libra fetarë, nuk mund ta mohoj që më ka ndihmuar, shumë nga fjalori biblik dhe kishtar më ndihmuan shumë që të shkruaja gjëra të ndryshme.”
Por pas disa vitesh si praktikat i fesë ortodokse ai e la atë.
Arsyet janë më shumë konceptuale, përmbajtësore dhe mënyra sesi shkojnë gjërat në një institucion fetar.
“Ajo që më shqetësonte ishte hierarkia kishtare, unë mendoj se duhen ndarë kisha si institucion dhe kisha si një vend shpirtëror, kjo hierarki mendoj se ka qenë në dëm të komuniteti LGBTQ+.”-thotë ai për HistoriaIme.
Xhoni mendon se ka një ngatërresë në cilësimin e personave LGBTQ, duke thënë se shkrimet e shenjta të vërteta janë keqinterpretuar, ndaj për shumë besimtarë personat LGBTQ+ janë të papranueshëm.
“Vetë Krishti predikonte dashurinë. Ai kurrë nuk ka thënë dhe nuk mund ta thote se një person “LGBTQ+” duhet vrarë”
Xhoni ka pasur edhe episode të pakëndshme brenda kishës, që sidoqoftë nuk kanë ndikuar në besimin e tij, dhe lidhjen e tij me Zotin.
“Unë kam pasur një shok në Kishë, kur unë hidhja foto me vathë ose me zbukurime të tjera, ai thoshte që nuk janë të përshtatshme në kishë, dhe nga ai moment unë nuk doja të kisha kontakte me këtë person, unë ndihesha shumë mirë me orientimin tim seksual, por ndiihesha mirë edhe në Kishë, dhe nuk nuk mund të lejoja që ai të prishte këtë qetësi.”
Për Xhonin askush nuk mund t’i imponojë dhe sugjerojë dikujt marrëdhëniet me fenë, pasi për atë “zoti i do të gjithë”./ HistoriaIme
Emrat e dy personazheve janë ndryshuar me kërkesë të tyre