Mijëra njerëz i bashkohen Budapest Pride në protestë kundër lëvizjeve anti-LGBT të shtetit

Mijëra hungarezë u përballën me nxehtësinë përvëluese gjatë marshimin vjetor të Krenarisë në Budapest në fundjavë, duke protestuar kundër kontrolleve të qeverisë mbi shfaqjet publike nga komuniteti LGBT.
Qeveria e kryeministrit autoritar Viktor Orban promovon një axhendë kristiane-konservatore dhe në vitin 2021 ndaloi “shfaqjen dhe promovimin e komunittit LGBTQ+” në libra dhe filma të aksesueshëm nga moshat nën 18 vjeç, pavarësisht kritikave të forta nga grupet e të drejtave dhe Bashkimi Evropian.
“Më duhet të them se të jesh krenar se je gej nuk është aq i pranuar në Hungari sa në Perëndim”-tha Gergely Varga, një marshues dhe grimier rreth të 30-tave i veshur me rroba ngjyrë ylberi të dizajnuara nga një mik.
Pjesëmarrësit valëvitën flamuj me ylber, vallëzuan dhe brohoritën ndërsa ecnin nëpër qendër të kryeqytetit hungarez.
“Unë mendoj se Krenaria e Budapestit është me të vërtetë çliruese, ne jemi shumë krenarë për të, por mendoj se jemi ende të diskriminuar në jetën e përditshme,” tha stilisti Danyi Mark.
As organizatorët dhe as qeveria nuk dhanë një numër për marshuesit, megjithëse dëshmitarët vlerësuan rreth 10,000 persona.
Kronikat televizive për paradën e Krenarisë u lejuan të transmetoheshin vetëm natën vonë nëpër televizionet hungareze.
Gjithashtu këtë javë, libraria e dytë më e madhe e Hungarisë mori një gjobë rekord për shitjen e një libri që përshkruan komunitetin LGBTQ+ pa censurë.
Të premten, ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe 36 vendeve të tjera i kërkuan Hungarisë të mbrojë të drejtat LGBT dhe të heqë ligjet diskriminuese.
Ambasadori amerikan David Pressman dhe shumë diplomatë të tjerë morën pjesë në marshimin e së shtunës./ HistoriaIME