Turizmi, nis klasifikimi i strukturave akomoduese
Në një kohë që Shqipëria po promovohet nga mediet botërore si destinacion turistik, duket se edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes si dhe Komiteti Këshillimor i Sektorit Privat të Turizmit, po bëjnë përpjekje për të rregulluar këtë sektor. Ata janë mbledhur në një takim për të adresuar çështjet kryesore që duhet të zgjidhen para fillimit të sezonit turistik 2017, si dhe për të marrë mendimin e grupeve të interesit lidhur me këto procese në zbatim të Ligjit të Turizmit.
Çështjet kryesore të diskutimit ishin certifikimi i rreth 70 udhërrëfyesve të parë deri në fund të muajit shkurt, në mënyrë që ata të jenë të certifikuar për të nisur punën e tyre në sezonin e ri turistik.
Si dhe klasifikimi i strukturave akomoduese. Ky proces do të startojë më 20 janar, përmes platformës online e-albania. Çdo hotel, guest house etj, do të vetëdeklarojë standardet që përmbush dhe kapacitetet e tij, më pas një komision i posaçëm do të verifikojë, nëse kjo strukturë i plotëson kriteret e vetëdeklaruara apo jo. Në fund të procesit do të lëshohet një certifikatë e klasifikimit për çdo strukturë sipas kategorive përkatëse.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë treguan që sipërmarrja turistike arriti të rriste kontributin e vet në ekonomi me 25 % në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015. Ndërsa numri i vizitorëve u rrit me 19.7 % më shumë se në 2015.
Ministrja Ekonomi theksoi se takimi i radhës i do të mbahet në fillim të marsit, për të parë a janë realizuar objektivat e vendosura për muajin shkurt dhe si do të jetë ecuria për të pasur një vit turistik të suksesshëm.
Burimi: Revista Monitor