Top Channel ‘versus’ Klan: Debati për modelin e televizionit
Revista Monitor ka bërë një studim të audiencave të dy televizioneve kombëtare më të ndjekura në Shqipëri, Top Channel dhe Tv Klan. Të dhënat e paraqitura nga kompania Telemetrix për audiencën e televizioneve kryesore në javën 6-12 prill 2015, tregojnë se telenovelat turke dhe indiane kanë marrë më shumë audiencë se prodhimet televizive shqiptare, duke renditur në vend të parë Televizionin Klan dhe më pas Top Channel.
Dy televizionet ndjekin linjë programacioni të ndryshme nga njeri –tjetri dhe zv.drejtori i përgjithshëm i TCH, Skerdi Drenova si dhe drejtori i programacionit në Klan, Albert Dumani, arsyetojnë zgjedhjet e tyre.
Që kur hyri fort në treg, më se një dekadë më parë, Top Channel ka arritur të imponohet në tregun mediatik, duke bërë jo vetëm revolucion në teknologji, por dhe në programacion, për të qenë në pararojë të sjelljes konsumatore dhe zakoneve të tregut të një kombi.
Edhe sot, kur audienca po “goditet” nga përhapja masive e telenovelave turke dhe të Bollywood, drejtuesit e Top Channel ndihen të qetë me modelin që ata kanë zgjedhur për televizionin më të madh në vend si nga punësimi (aktualisht TCH ka në total rreth 700 të punësuar) ashtu dhe të ardhurat (për vitin 2013 kompania ka raportuar 1.76 miliardë lekë të ardhura).
Zv drejtori i përgjithshëm, Skerdi Drenova, thotë se TCH ka zgjedhur t’i fokusohet më shumë produkteve të realizuara me stafe shqiptarë si dhe produkte të një niveli perëndimor si ‘Big Brother’, ‘The Voice, Mastershef’, ‘Albanians Got Talent’ etj. Ndonëse të vetëdijshëm që kjo është rruga më e vështirë për të arritur tek publiku, Drenova është shprehur se ndihen krenarë që në fund realizojnë produkte me vlerë.
“Do shkojmë drejt Lindjes apo Perëndimit! Çfarë përfitojmë duke shkuar drejt Bollyëood!? Ne kemi parë gjithnjë drejt Perëndimit. Ky është vizioni ynë që në themelet e ngritjes së kompanisë, për të dhënë më të mirën. Është dhe rruga më e vështirë, por që në fund të fundit na çon tek ajo që njerëzit të ndihen krenarë për këto produkte”.
Ndonëse ishin të parët që “eksperimentuan” me telenovelat e Amerikës Latine vite më parë, që rezultuan të suksesshme (kujtojmë “Klonin”, apo “Kur ti të jesh e imja”), Top Channel hoqi dorë shpejt nga modeli ku kapja e audiencës bazohej në programe të blera. “Në atë kohë nuk kishim fuqi financiare të dilnim me prodhimet tona”, thotë Drenova. Ndërsa më pas, televizioni u fokusua në produktet e veta, duke u rezistuar ofertave që ata i merrnin të parët nga produksionet turke apo indiane.
Edhe pse kanë pasur dhe kanë seriale të vazhdueshme si “Vejusha e Zezë”, “Pablo Escobar”, apo “Borgia”, që do ta kishin audiencën e garantuar, TCH nuk ka zgjedhur t’i transmetojë ato në Prime Time por në orare të vona, duke ia lënë prime time prodhimeve të veta por edhe sepse lidhet edhe me nivelin e lartë të dhunës që përmbajnë këto telenovela. “Shqipëria nuk ka nevojë për modele të tilla”, – thotë Drenova.
Nga ana tjetër Tv Klan, ka preferuar t’i ketë edhe në prime time telenovelat turke dhe indiane dhe kjo i është shpërblyer me numër të lartë audience. Lidhur me këtë zgjedhje, drejtori i programacionit Albert Dumani, thotë: “Serialet turq që kam përzgjedhur janë prodhime shumë cilësore dhe që preferohen nga publiku shqiptar. Pra struktura jonë programore, jo vetëm që plotëson dhe kënaq shijet e publikut, por është edhe e suksesshme në tregun e televizioneve në Shqipëri”.
Për shikueshmërinë e lartë të telenovelave turke dhe telenovelës indiane “Bidai” e cila sipas Monitor rezulton programi më i ndjekur aktualisht në Shqipëri, Dumani thotë se suksesi qëndron së pari përzgjedhjen e programit që i përshtatet më shumë shqiptarëve, në morinë e programeve që realizohen dhe së dyti ka të bëjë me skenarë të mirë, regji, shesh-xhirime, muzikë dhe aktorë profesionistë. “Temat e tyre janë shumë më afër mentalitetit dhe jetës së shqiptarëve, prandaj pëlqehen nga publiku shqiptar”.
Sipas drejtorit të programacionit, aktualisht Tv Klan ka 75% prodhime të TV Klan dhe 25% prodhime të huaja të blera dhe në planet e së ardhmes, do të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm telenovelat dhe serialet e huaja.