Tirana ndër qytetet me cilësinë më të ulët të jetesës në botë
Njollat e gjelbërta në Tiranë janë kthyer si oazet në shkretëtirë. Në qytetin, që deri në fund të viteve ’70 kishte 60 metra katror gjelbërim për çdo banor, betoni ka përpirë pothuajse gjithçka.
Sot për çdo banor ka rreth 2 metër katror gjelbërim, ndërkohë që, sipas rregullores së Urbanistikës, norma minimale duhet të jetë 7 metër katror për frymë. Duke i shtuar cilësinë e keqe të karburanteve dhe automjetet e vjetra, që qarkullojnë çdo ditë në Tiranë, e bëjnë këtë të fundit një nga kryeqytetet me ajrin më të ndotur në Europë.
Këto janë edhe arsyet, se përse Tirana është cilësuar si një nga vendet me cilësinë më të ulët të jetesës në Europë. Sipas një studimi të publikuar disa ditë më parë nga kompania “Mercer”, që kryen çdo vit studime për nivelin e jetesës nga 230 qytete në gjithë botën, ku u zhvillua ky studim, Tirana zë vendin e 180.
Kryeqyteti i Austrisë, Vjena, është cilësuar qyteti që ofron cilësitë më të mira për të jetuar. E ndjekur nga Zyrihu, Aukland, Mynih dhe pesshja mbyllet me Vankuver-in.
Për të bërë këtë klasifikim janë marrë për bazë kriteri mjedisor, mjedisi politik e shoqëror, mjedisi socio-kulturor, konsideratat mjekësore dhe shëndetësore, shkolla dhe edukimi, shërbimet publike dhe transporti, zbavitja, mallrat e konsumit, strehimi dhe ambienti ekonomik.
/TopChannel