Telefonia fikse në krizë, numri i përdoruesve bie me 12%
Telefonia fikse po kalon në krizë. Të dhënat e AKEP tregojnë se krahasuar me përdoruesit e vitit 2013, numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2014 arriti në rreth 247 mijë, që rezulton 12% më pak.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) rënia ka ardhur për shkak të vazhdimit të reduktimit të numrit të pajtimtarëve të Albtelekom, me 13% si dhe rënies me 9% të numrit të pajtimtarëve të operatorëve alternativë.
Pavarësisht se gjatë vitit 2014 ka vazhduar tendenca e operatorëve të telefonisë fikse për promovim të paketave tarifore me përfshirje minutash në pajtim mujor si dhe kombinim të shërbimeve të telefonisë dhe aksesit në internet, sërish numri i përdoruesve fiks ka rënë.
AKEP ka publikuar edhe tabelën që paraqet ecurinë e numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse të operatorëve kryesorë në periudhën 2010-2014.
Të dhënat për numrin e përdoruesve sipas qarqeve tregojnë se rreth 41% e të gjithë përdoruesve të telefonisë fikse janë në Tiranë. Qarqet me penetrim më të madh të telefonisë fikse janë Tirana, Vlora, Gjirokastra dhe Korca me 11-13.4%, ndërsa qarqet me penetrim më të ulët janë Kukësi dhe Dibra me më pak se 3%. /Monitor.al