Tashmë do të ketë fluturime direkte Tiranë – Paris
Tashmë do të ketë fluturime direkte Tiranë – Paris. Që nga 31 marsi fillimisht, çdo të martë dhe të shtunë, por në të ardhmen është paraparë të programohen më shumë fluturime.
Në ceremoninë e inagurimit Ministri Haxhinasto e vlerësoi hapjen e kësaj linje, si zhvillim të rëndësishëm në industrinë e aviacionit civil në Shqipëri dhe veçanërisht hapja e tregut që po reflekton cilësi më të lartë shërbimesh për qytetarët shqiptarë dhe kosto më të ulët.
Sipas ministrit linjat direkte drejt Frankfurt, Paris dhe Bruksel përbëjnë rreth 10 % në rritjen e lidhshmërisë të aeroportit të Rinasit “Nënë Tereza” me destinacionet evropiane.
Sipas fakteve evropiane në këtë industri, kjo çështje ndikon në rritjen e GDP-së në masën 0. 5 % për çdo banor. Zhvillimi në këtë sektor mbështetur nga logjika ekonomike, ku sipas mesatares në industrinë evropiane për çdo 1000 pasagjerë të rinj krijohet një vend pune. Gjithashtu ky zhvillim do të ndikojë në industrinë turistike dhe do të ketë impakte të mëdha në ekonominë e vendit duke ftuar kompanitë ajrore të hapin dhe linja fluturimi për destinacione të reja.
“Kjo do të thotë se nëse arrijmë volumin normal të rritjes, në 5 vitet e ardhshme të ketë mbi 600 vende të reja pune vetëm në industrinë e shërbimeve aeroportuale. Prandaj sot është momenti t’i bëjmë ftesë edhe të rinjve, të angazhohen në këtë industri të rëndësishme me të ardhme të sigurt në Shqipëri”: – vijoi ministri i Transporteve.