Skema e re e siguracionit të makinave – Kush bën aksidente, paguan më shumë
Një sistem i ri për llogaritjen e siguracionit të makinave pritet të hyjë në funksion. Sistemi do të penalizojë të gjithë ata që kanë kryer një aksident që nga data 3 mars. Në draftin e ri parashikohet formula e llogaritjes së re të çmimit, i cili do të varet nga numri i aksidenteve dhe historiku i çdo shoferi.
SI DO TË LLOGARITET ÇMIMI?
Aktualisht çmimi i sigurimit të makinave, i detyrueshëm me ligj, është fiks. Pra, në rast se do të sigurosh automjetin, çmimi që ofrojnë kompanitë është përgjithësisht i njëjtë. Ai ndryshon vetëm nga cilindrata e makinës. Në draftin e ri parashikohet që çmimi të ndryshojë sipas sjelljes së shoferëve.
Parashikohet që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Në draft parashikohet që një shofer i ri dhe përgjithësisht të gjithë shoferët, pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të hyjnë në klasën e 13-të. Klasa hyrëse do të jetë ‘13’ për vitin e parë të zbatimit të sistemi. Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet. Në draft janë parashikuar edhe si do të bëhet zhvendosja e shoferëve nga një klasë në tjetrën.
“Ulja e klasës së riskut me një klasë në rastet e të siguruarit që nuk shkakton asnjë aksident gjatë vitit të kontratës. Rritjen e klasës së riskut me 2 klasë nëse i siguruari bën dëm gjatë vitit të kontratës dhe 5 klasë nëse bën dy dëme”.
Për ta bërë më të thjeshtë. Sot çmimi i sigurimit të një makine është 16 mijë lekë në vit. Kështu, në rast se një shofer nuk ka bërë asnjë aksident nga data 3 mars, ai klasifikohet në klasën e 13-të, që i përket koeficienti 1. Pra, siguracioni i tij do të jetë 16 mijë lekë (16.000 x 1).
Në rast se një shofer ka bërë aksident, ai do të rritet në klasë. Pra, në këtë rast shkon në klasën 15. Rrjedhimisht edhe çmimi i siguracionit rritet. Klasa e 15-të ka një koeficient 1.3. Shoferi do të duhet të sigurohet jo më për 16 mijë lekë, por për 20.800 lekë (16.000 x 1.3). Pra, 4.800 lekë më shtrenjtë.
Në rast se një shofer nuk bën asnjë aksident gjatë një viti, atëherë ai ulet një shkallë, dhe nga klasa 13 shkon në klasën 12. Koeficienti i klasës 12 është 0.94. Në këtë rast, çmimi i siguracionit do të jetë 15.040 lekë. Pra, më i ulët. /Gazeta Panorama