Së shpejti do të paguajmë 5 euro për të kaluar në Rrugën e Kombit
Në fund të shtatorit pritet të nisë aplikimi i tarifës 5 euro për kalimin në Rrugën e Kombit. Katër kompani kanë dorëzuar ofertat pranë Ministrisë së Transportit për t’u bërë pjesë e garës së dhënies me koncesion të autostradës Milot – Morinë, me qëllim ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e saj.
Në 15 shtator Ministria e Transporteve do të vlerësojë ofertat e 4 kompanive. Kjo do të thotë se pas vlerësimit kalimi në këtë segment do të jetë me pagesë për cdo automjet. 5 euro ose 7 mijë lekë (të vjetër) do të jetë pagesa për rrugën për një autoveturë që do të dojë të shkojë në Kosovë, dhe po kaq për t’u kthyer. Furgonët, autobusët dhe kamionët pritet të kenë tarifa më të larta.
Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës. Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesioni do të zgjasë për një periudhë 30-vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa, dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.