Për çfarë i shpenzojnë paratë shqiptarët në krahasim me evropianët?
Sa më i varfër të jetë një vend, aq më shumë shpenzon popullsia e tij për t’u ushqyer, ndërsa lë mënjanë kënaqësi të tjera, si pushime, argëtim, udhëtime, kafe e restorante. Revista ekonomike Monitor, ka bërë një krahasim të strukturës së shpenzimeve të familjeve shqiptare dhe atyre në vendet e BE-së, duke u nisur nga të dhënat e INSTAT.
Disbalancat më të mëdha në nivelin dhe stilin e jetesës mes shqiptarëve dhe evropianëve janë në drejtim të ushqimeve, transportit, argëtimit, restoranteve. Por nuk ndodh e njëjta gjë me shpenzimet për veshje dhe shëndetësi, ku shifrat janë pothuajse në të njëjtin nivel.
Të dhënat tregojnë se familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të parave për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa konsumatorët e BE-së shpenzojnë vetëm 12.3% të buxhetit për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme të të ushqyerit.
Shpenzimet më të larta për pjesën më të madhe të shteteve të BE-së e zë grupi “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira”, me 23.8% të ndjekur nga ‘Transporti’, me 13.1% dhe grupi ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ është i treti, ndryshe nga familjet shqiptare që zë pjesën më të madhe.
Një tjetër grup ku ka dallime të mëdha janë shpenzimet për argëtim dhe kulturë. Evropianët shpenzojnë gati 9% të buxhetit, ndërsa për familjet shqiptare kjo peshë është vetëm 3%. Edhe për restorante, evropianët harxhojnë 8.2% të parave, nga 3.6% për shqiptarët.
Por, kur vjen puna te veshjet, shqiptarët nuk kursehen. Ndërsa evropianët shpenzojnë 5.1% të buxhetit për veshje e këpucë, për shqiptarët shifra është e ngjashme, prej 4.9%. Edhe për shëndetin shpenzimet janë të ngjashme, 3.6% në Shqipëri dhe 3.7% në vendet e BE-së.
Hapja e universiteteve private dhe rritja e tarifave të universiteteve shtetërore ka shtuar shpenzimet e shqiptarëve në 2.1% të buxhetit, ndërsa për evropianët kjo shifër është 1.1%. /m.g/