OKB jep lajme të këqija: Pas 15 vitesh njerëzit do të vuajnë mungesën e ujit
Përdorimi pa kriter i burimeve të ujit do të na kthehet boomerang pas disa vitesh. Në një raport vjetor për burimet natyrore nga Kombet e Bashkuara, thuhet se bota mund të vuajë nga mungesa e ujit pas 15 vitesh, nëse nuk ndryshohet në mënyrë dramatike mënyra e përdorimit të tij.
Një nga burimet kryesore për njerëzimin mund të kthehet në një nga shqetësimet kryesore të njërëzimit nëse vazhdohet me këto ritme.
Sipas raportit humbja e ujit mund të shkoj deri në 40% pasi shumë rezerva të ujërave nëntokësore janë duke u zvogëluar, ndërkohë që reshjet pritet të shndërrohen në fenomen të paparashikueshëm për shkak të ndryshimeve klimatike.
Bota mendohet ta shtojë popullsinë e saj në 9 miliardë në vitin 2050, kjo do të thotë se edhe uji do të jetë më i nevojshëm për të përmbushur kërkesat e industrisë, prodhimit dhe konsumit personal.
Për shkak të rritjes së popullsisë do të prodhohen ushqime 60% më shumë sesa prodhohen sot dhe kërkesa për energji do të rritet deri në 70%. Pra rrjedhimisht edhe më shumë përdorim të burimit të ujit. Nëse ritmi aktual i shfrytëzimit të ujit nuk ndryshon, bota do të ketë 60% më pak ujë në vitin 2030, thuhet në raport.
/shqiptarja.com