Nga sot nis taksimi për çdo blerje online mbi 22 euro
Që nga dita e stome ka hyrë në fuqi vendimi për taksimin e blerjeve online mbi 22 euro. Vendimi përcakton se do të taksohen mallrat e blera nëpërmjet porosisë në internet që importohen nëpërmjet dërgesave postare, kur vlera e tyre kalon 22 euro (apo ekuivalentimi në lek) si edhe dërgesat që marrim dhe dërgojmë jashtë Shqipërisë për një individ kur e kalon vlerën 45 euro.
Ky vendim nuk është pritur mirë nga konsumatorët shqiptarë që përdorin këtë formë blerjeje, madje kanë krijuar edhe një peticion online ku i kërkojnë qeverisë të tërheqë vendimin.
Sipas punonjësve të postave, shuma e blerjeve luhatet nga 100 në 900 euro, por pjesa më e madhe e pakove, mbi 75% të tyre kanë një vlerë rreth 100 euro. Këto pako, me hyrjen në fuqi të vendimit të ri, do të paguajnë edhe 22.4 euro më shumë.
Deri tani, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta ta sillte mallin direkt e në shtëpi. Tashmë, nëse malli i kalon 22 euro, për pritësin do të fillojë një “sorrollatje” e vërtetë, që shpesh nuk ia vlen mundimi për vlerën.
Taksat shtesë përfshijnë TVSH-në 20% dhe taksën doganore 2.4%, në total 22.4%.
Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri të qeverisë, në momentin që vlera e faturës do t’i kalojë 22 euro do të bëhet procesi i zhdoganimit. Blerësi duhet të paraqitet në Postë ose në Rinas, varet ku i ka ardhur malli, të plotësojë deklaratën doganore dhe më pas të bëjë pagesën e doganës në bankë. Vetëm pasi të ketë marrë pagesën mund të bëjë tërheqjen e mallit.
/m.g/
Burmi: Monitor.al