Ndryshimet që priten të ndodhin në Tiranë
Një sërë ndryshimesh dhe masash do të ndërmerren nga Bashkia e Tiranës për të vendosur rregullin në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në një takim që zhvilloi me përfaqësues të shoqërisë civile, ka prezantuar disa nga projektet e reja të institucionit që ai drejton.
Së pari do të ndërtohen dy terminale, një në Laprakë dhe një në Lundër. Duke mos i lejuar autobuzat e linjave ndërqyetase të shkaktojnë trafikë në Tiranë.
Gjithashtu Veliaj tha se 20% e trafikut në qytet shkaktohet nga furgonat që furnizojnë marketet. Ndaj asnjë furgon që furnizon marketet dhe dyqanet me produkte nuk do të lejohet të lëvizë në qytet jashtë orarit të përcaktuar nga Bashkia. Sipas kryetarit të bashkisë, furnizimi duhet të bëhet në mbrëmje vonë ose para orës 8:00 të mëngjesit.
Një tjetër risi që u përfol, është aboneja elektronike. Për herë të parë, qytetarët e Tiranës do të kenë një abone elektronike. Kryebashkiaku tha se qytetarët nuk do të kenë më nevojë që të presin në radhë për të siguruar një abone për të lëvizur në kryeqytet dhe ajo do të funksionojë në bazë të impulseve.
Por gjithashtu Veliaj u rikthye dhe njëherë tek çështja e gjobave. Ai tha se është e vërtet që gjobat tek ne janë më të lartat në rajon, por kjo për arsyen se jemi edhe më të ndoturit në rajon. Në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak do të katërfishohen gjobat për të gjithë ata persona që ndotin mjedisin apo vandalizojnë objektet publike.