Shqiptarët braktisin supermarketet, rikthehen te dyqanet e lagjes
Pasi kishin ndier prej vitesh konkurrencën e supermarketeve që u zgjeruan me shpejtësi, dyqanet e lagjes (apo njësitë e shitjes me pakicë të paspecializuar) kanë marrë disi frymë në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e INSTAT për 3 mujorin e parë të 2015-ës, bëjnë të ditur se krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, dyqanet e lagjeve janë rritur mbi 20%, përkatësisht në të tre muajt, janar, shkurt, mars.
Grupi i artikujve të përzier, që përfshin kryesisht ushqime, pije, duhan, veshje, kozmetikë etj, të shitura në “njesitë tregtare jo të specializuara” siç quhen dyqanet e vogla, ka dhënë ndikimin kryesor në volumin e shitjeve në Tregtinë me Pakicë.
Rritja e dyqaneve të lagjes përkon me krizën e një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve, Carrefour, që në tre muajt e parë të këtij viti u “braktis” nga pothuajse të gjithë furnitorët për shkak të borxheve që rrjeti u kishte atyre, që arrinin deri në 7 milionë euro.
Tregu i shitjeve me pakicë në Shqipëri vlerësohet nga INSTAT në rreth 850 milionë euro, por problemi kryesor vazhdon të mbetet informaliteti, për shkak se dyqanet e vogla nuk lëshojnë kuponë tatimorë dhe nuk deklarojnë xhirot reale. Nëse në treg do të llogariteshin edhe shitjet e dyqaneve të vogla që shesin pa fatura tregu, vlerësohet se ai xhiron rreth 1.2-1.3 milionë euro, ose rreth 40% më shumë se shifrat zyrtare.
Llogaritjet e studiuesve të tregut tregojnë se pjesa e shitjes me pakicë në rrjetet e organizuara mbetet e ulët në rreth 7-10% të totalit të tregut dhe se konkurrencës së fortë mes rrjeteve të supermarketeve të huaja si Conad, Carrefour dhe atyre vendase si Big Market dhe Eco Market i kundërvihet një shkallë e lartë informaliteti e dyqaneve të vogla. /Monitor.al