Dita e Tokës, “Është radha jonë për të drejtuar”
Sot është “ditëlindja” e 45-të e Tokës, e cila festohet në 192 vende të ndryshme të botës. Dita e Tokës që në vitin 1970 shënohet në kalendaret e gjithmonë e më shumë individëve si një ditë e veçantë me rëndësi ndërgjegjësimi dhe veprimi.
Në këtë ditë 20 milionë amerikanë morën pjesë në demonstratën mjedisore, që u quajt “Dita e Tokës”, ndërsa sot anekënd botës zhvillohen aktivitete të tilla si pyllëzime, fushata të ndryshme, shfaqje, panaire, konferenca etj.
Dita e Tokës është një ditë e veçantë e dedikuar për të gjithë ata që u intereson të kujdesen për Tokën. Kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin e mundësive për të përmirësuar efikasitetin e energjisë dhe shfrytëzimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Por, në Shqipëri, këto aktivitete kanë qenë shumë të varfëra. Organizatat e shumta mjedisore, ambientaliste nuk kanë qenë mjaftueshëm prezente.
Ecovolis, është një nga lëvizjet që ka ftuar gjithë qytetarët e Tiranës të bashkohen me aksione mjellje pemësh, apo aksione të rregullimeve të hapësirave publike.
“Motoja e ditës së Tokës 2015 është “Është rradha jonë për të drejtuar”, ndaj të krijojmë një zë për përmirësimin e qytetit ku jetojmë për të mos mbetur spektatorë të zhvillimit në shtete të tjera dhe mosndërgjegjësimit të pandalur në shtetin tonë”– shkruhet në profilin e tyre në Facebook.
Ndërkohë në vende të ndryshme nëpër botë, aktivitetet nuk do të mungojnë:
- Në Afrikë – individë dhe grupe do të organizohen në një projekt mural ku do të shfaqen dëshirat dhe aksionet e tyre. Postera dhe spote do i shfaqen publikut të gjërë për informim.
- Në Pekin – pas evidentimit të ndotjes që vizitorët i sjellin Murit të Madh kinez, segmenti prej 8km “Jianku” do të pastrohet nga ekipe vullnetarësh që njëkohësisht do shijonë pamjen që ofron një nga segmentet më të fotografuara të Murit.
- Në Dubai – pjesë e një iniciative që ka nisur në Shkurt 2015, studentë do të mbjellin mbi 150 rrënjë të llojit “Prosopis cineraria” në pika interesi publik ose pika me nevojë të madhe të rikthimit natyror.
- Në Gjermani – 2000 studentë do të mbjellin pemë, do organizojnë tregje mallrash të përdorura, do zhvillojnë gara me të ardhura që do të përdoren për pastrimin e zonave me nevojë dhe do ta mbyllin ditën në kinema ku do të shfaqen spote informative dhe ndërgjegjësuese.
- Në Hollandë – aktivitete të zhvilluara në 2 gjuhë (Angleze dhe Hollandeze), ftojnë miq nga e gjithë bota në ekspozita “art nga mbetjet”, në panaire mallrash të ripërdorshme, në seminare kopështarie dhe efiçense energjitike, dhe leksione për pavarësinë nga karburantet fosile.
- Në Kaliforni – familjet do marrin pjesë në ekspozita idesh inovative nga nxënës/studentë, në festivale muzikore për të ritur ndërgjegjësimin nëpërmjet muzikës, në panaire ushqimesh organike që japin një mundësi në ndryshimin e mënyrës si ushqehemi.
foto: Albana Haxhiu Rroga