Cilësia e plazheve: Divjaka, Tale, Spille, monitorohen për herë të parë
Një nga pikëpyetjet më të mëdha gjatë sezonit turistik, është cilësia e ujërave. Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë një monitorim paraprak për të parë se në ç’gjendje janë këtë fillim vere ujërat larës përgjatë vijës bregdetare.
Sipas AKM “këtë vit mbi 90% e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A pra cilësi shumë e mirë”. Gjithashtu thuhet se krahasuar me një vit më parë, plazhet shqiptare kanë një trend rritjeje.
Nga monitorimi paraprak, Vlora rezulton qyteti më i ndotur bregdetar, me 6 plazhe të vlerësuara “Mirë” dhe 1 “Keq”.
Listës së plazheve të monituara i janë shtuar për herë të parë plazhet e Divjakës, Tales dhe Spillesë.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka njoftuar se do të vijojë monitorimin e plazheve me dy faza të tjera; një në mes të sezonit dhe një tjetër në fund të sezonit veror.
Vlerësimi i cilësisë së ujërave larës sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit
Cilësia e ujërave larëse është shumë e mirë në 90 pika duke përfshirë plazhin e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri i Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Zvërnecit, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, dhe Semanit.
Cilësia e Ujërave Larëse është e mirë në 6 pika në Plazhin e Orikumit (Kompleksi “Orikumi”dhe Bar-Restorant Aleksandër) si dhe në Plazhin e Vlorës (Plazhi i Vjetër K.Pionerit, Plazhi i Ri, Radhimë Grand Hotel dhe Bar Restorant Freskia).
Cilësia e Ujërave larëse është e keqe në 3 pika Plazhin e Vlorës (Stacioni i Shkollës së Marinës), në Plazhin e Sarandës (Stacioni Kanali i Çukës-Dodona) dhe në Plazhin e Durrësit (Stacioni i Kompleksit Xhardino). /m.g
Lexoni listën e plotë të plazheve këtu