A i përdorin Shqiptarët më pak celularët? – Pakësohen numrat aktiv gjatë 2014-ës
Mbajtja e dy apo më shumë aparateve celularë dhe kartave SIM aktive, duket se ka filluar të pësojë rënie. Shifrat e fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, tregojnë se numrat aktive dhe ata në përdorim ishin më të ulët se një vit më pare.
“Numri i përdoruesve aktivë dhe përdoruesve sipas kartave SIM aktivë në fund të 2014, respektivisht ka qenë 3.36 milionë dhe 4.88 milionë. Në krahasim me fundvitin e 2013-ës, kur numri i përdoruesve aktivë dhe përdoruesve sipas kartës SIM respektivisht ka qenë 3.68 milionë dhe 5.28 milionë, ky tregues ka pësuar rënie”, thuhet në njoftimin e AKEP.
Po kështu, viti i kaluar duket se ka shërbyer si test për kompanitë që operojnë në treg ku ofertat e njërës palë apo të tjetrës kanë ndikuar në ndryshimin e pjesës së tregut. Më e penalizuara ka qenë AMC, e cila sipas shifrave ka qenë kompania që ka humbur pjesë tregu. Nga kjo humbje kanë përfituar të tria kompanitë e tjera.
Kështu, referuar të dhënave të AKEP rezulton që nga totali i përdorueseve aktivë të një karte SIM, 33 për qind i përkasin AMC. Por në vitin 2013, kjo e fundit kishte 37 për qind të tregut, çka tregon për një rënie me 4 për qind. Nga kjo ka përfituar rritje me 1 për qind Vodafone, 1 për qind Eagle Mobile dhe 2 për qind Plus Communication. Rënie të dukshme për AMC ka edhe për sa u përket thirrjeve dalëse ku në 2014-ën kjo rënie ishte 6 për qind krahasuar me 2013-ën.
/BalkanWeb