A do të ndjekë BE, shembullin e Francës në ligjin për supermarketet?
Pak kohë më parë, Franca miratoi një ligj që i ndalon supermarketet të shkatërrojnë ushqimin e pashitur dhe i detyron ta japin për bamirësi. Sipas ligjit, dyqanet më të mëdha se 400 metra katrorë kanë kohë deri në korrikun e 2016-s të firmosin kontrata me shoqata bamirësie dhe depo ushqimore për të dhënë falas prodhimin e pashitur.
Ligji erdhi pas një fushate të drejtuar nga një politikan i ri i krahut të djathtë, Arash Derambarsh. Ai e filloi fushatën e tij duke mbledhur ushqimin e pashitur dhe duke ua dhënë atë personave në nevojë. Më pas, nisi një peticion online që ndikoi në krijimin e vrullit për ligjin e ri.
Tani, Derambarsh i ka kthyer sytë nga Europa.
Pas suksesit të peticionit francez, ai po qarkullon një tjetër peticion online në Bashkimin Europian. Shpresa është që të mbledhë një milion firma nga të paktën shtatë vende, të cilat do të jenë të mjaftueshme për të nxitur iniciativën e shtetasve europianë – një apel zyrtar te Komisioni Europian për të filluar një legjislacion që do të ndalojë supermarketet të çojnë dëm tepricat në BE.
Aktualisht ai ka mbi 630 000 mbështetës. Nëse arrin një milion, komisioni duhet ta marrë në konsideratë iniciativën, ndonëse mund të vendosë të mos veprojë.