36% më pak viktima në aksidente, nga përdorimi i rripit të sigurimit
Numri i gjobave për mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe i kaskos mbrojtese nga motoçiklistët, pothuaj është dyfishuar në krahasim me dy vite më parë. Sipas Policisë së Shtetit, në 11 muajt e parë të këtij viti, janë vënë 96,800 gjoba për shkeljen e këtyre neneve, krahasuar me rreth 50 mijë gjoba në të njëjtën periudhë parvjet.
Por po ashtu, sipas të dhënave të Policisë Rrugore, në 11 muajt e parë të 2015-ës, ka patur 290 të vdekur në automjete të përfshirë në aksidente rrugore, ose 36% më pak se në të njëjtën periudhë parvjet.
Pavarësisht se në këtë ulje të ndjeshme mund të kenë ndikuar edhe faktorë të tjerë (pakësimi i shoferëve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur/me shpejtësi të madhe apo përmirësimi i sinjalistikës dhe sigurisë rrugore), është e provuar statistikisht në literaturën botërore shkencore se përdorimi i rripit të sigurisë e përgjysmon probabilitetin e vdekjes në një aksident të rëndë.
Përdorimi i rripit të sigurisë në automjete dhe i kaskos mbrojtëse nga motoçiklistët nuk ndikon vetëm për uljen e numrit të të vdekurve nga aksidentet rrugore, por edhe në uljen e numrit të të plagosurve prej tyre. Përdorimi i rripit të sigurisë e ul 30% probabilitetin e plagosjes së rëndë në një aksident serioz.
Si rezultat, kur rritet numri i përdoruesve të rripit, ulet numri i plagosjeve të rënda, por rritet numri i atyre të lehta, pasi nëse një pasagjer është i lidhur në një aksident serioz, mund të plagoset lehtë, në vend që të plagoset rëndë apo të vdesë.
Këtë gjë tregojnë edhe shifrat e 11 mujorit të 2015-ës. Numri i njerzve të plagosur rëndë në automjete të përfshira në aksidente rrugore u ul 18% në krahasim me parvjet. Dhe numri i të plagosurve lehtë u rrit 16% në krahasim me parvjet falë përdorimit të rripit të sigurimit dhe kaskos mbrojtëse. /m.g
Nga: Eduard Zaloshnja