Të jem vetvetja është dhurata më e bukur që i kam bërë vetes …
Për faj të ngacmimeve dhe paragjykimeve e kam pasur shumë të vështirë të pranoj seksualitetin tim. Në shkollë të mesme ushtrohej shumë bullizëm dhe unë nuk doja të isha si djemtë që i tallte e gjithë shkolla. Pasi mbarova gjimnazin, hyra në universitet dhe ndërkohë që shoqëria ime fliste për eksperiencat romantike, për lidhjet dhe seksin, unë thjesht i injoroja dhe i mbushja mendjen vetes se çdo gjë ishte normale dhe për mua.
Momenti kur e pranova se isha gej, ishte gjatë një udhëtimi jashtë, ku pash se sa e thjeshtë ishte për ata si unë të jetonin lirshëm. Pash një çift gej të puthej në sheshin qendror të qytetit dhe shumë flamuj LGBT. Asnjë nuk e kthente kokën t`i shihte veç meje, asnjë nuk reagonte keq.
Kur u ktheva në Shqipëri çdo gjë ndryshoi. Fillova të bëja psikologun e vetes dhe fola me miqtë e mi më të mirë. Shumë prej tyre e dinin dhe më thanë që thjesht prisnin mua tua thoja. Më kanë mbështetur shumë. Pasi kalova dhe eksperiencat e para romantike, kuptova që dashuria është shumë e bukur për t`u mohuar.
Kur fillova të pranoja veten dhe të shikoja gjërat me pozitivitet, pash se si edhe shoqëria filloi të me shtohej dita ditës. Kisha më shumë vetëbesim, isha më i qetë për t`u marrë me shkollën dhe angazhimet profesionale.
Pavarësisht disa thyerjeve të vogla të zemrës, të isha vetvetja dhe të jetoja me ‘veten time më të mirë’ është dhurata më e bukur që i kam bërë vetes. Dashuroni dhe rrethohuni me dashuri!