Letër denoncuese nga vetë mjekët: Ja si realizohet korrupsioni në maternitetin “Koço Gliozheni”
Jemi një grup mjekësh që duam të denoncojmë korrupsionin, abuzimet dhe shpërdorimet me fondet dhe keqmenaxhimin e këtij institucioni ndër vite nga drejtoresha që dikur ishte me Fatos Nanon, që e bëri edhe drejtoreshë, pastaj u kthye me Ilir Metën, pastaj u bë me Sali Berishën dhe tashmë po vegjeton në korrupsion me Edi Ramën.
Në këtë spital ka problematika të mëdha, që nga hyrja që nuk ka një zyrë informacioni për spitalin, përveçse në qendrën e gruas që është pavion i aneksuar i këtij spitali dhe mbyllet në orën 2.
Duke na ndalur familjarët sapo të shohin bluzat e bardha që lëvizin në korridore, duke i pyetur ku është kjo dhome, ku është ky pacient. Po për fat të keq nuk ka as banjo/tualet për popullatën që është vizitore, duhet t’u tregojmë ku të gjejnë edhe banjë për nevojat e tyre personale.
Së pari, ka muaj dhe vite që në këtë institucion nuk bëhet analizë klinike dhe shkencore për të kuptuar përse ndodhin këto komplikacione, këto vdekje fetale, këto rihapje barku nga 2 apo 3 herë, këto çarje te uterusit dhe me pasojë vdekjë të fëmijës. Mos vallë nga emërimet e papërgjegjshme të stafit mjekësor të të gjithë niveleve?! Materniteti nr.2 është jetim, nuk ka kryetar/e familje, sepse ajo shikon vetëm interesin ekonomik të saj dhe vegjeton në tërë sistemet prej mbi një dekade.
Së dyti, në këtë spital ka muaj dhe vite që nuk bëhet asnjë analizë për komplikacionet që po ndodhin çdo ditë, sepse konfliket që kjo drejtoreshë ka me stafin e drejtuesve të reparteve në këtë institucion nuk kanë të sosur.
Së treti, shumë fonde dhe materiale vidhen, merren aty dhe dërgohen për përdorim në klinikat private të mjekëve drejtues, që marrin materiale spitalore dhe i dërgojnë për përdorim në klinikat e tyre.
Së katërti, emërimet e personelit mjekësor si mami/infermiere, laborante dhe pastruese paguajnë 5 mijë euro për një vend pune, jo vetëm pa konkurrim real në mënyrë që të përzgjidhet më i miri, por në mënyrëe krejtësisht korruptive, paguajnë që të marrin vendin e punës, gjë që vazhdon në këtë institucion.
Së pesti, në këtë spital në këto dy vite janë anuluar dy herë konkurset për të marrë mjekë specialistë obstetër-gjinekologë në mënyrë që të plotësohen nevojat që ka ky spital, sepse janë bërë shkelje në këto konkurrime, kjo e thënë me shkrim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sot janë tetë vende bosh, pra mungojnë tetë mjekë obstetër-gjinekologë në këtë institucion dhe drejtoresha e këtij institucioni, Rubena Moisiu, merr vullnetarë mjekët që sapo kanë mbaruar dhe kanë kontrata me spitalet e rretheve. Një mjek specialist që është specializuar për rrethet, është paguar për 4 vite me rrogë për këto rrethe, për t’u kthyer dhe shërbyer për pesë vite pas studimeve për këto spitale rrethesh në mënyrë që t’u shërbehet popullatës së tyre. Por prapë Gjirokastra, Përmeti, Lushnja, Ballshi, Bulqiza etj nuk kanë mjekë specialistë dhe Rubena i strehon si mjekë vullnetarë.
Së gjashti, vazhdon hajdutëria në tendera dhe paguhet personel për klinikën e fertilizimit in vitro në këtë spital dhe hajdutëria ka bërë që kjo të mos përurohet kurrë. Pajisjet dhe materialet që ishin dhuruar në vitet 2000, u vodhën dhe u falën nga ana e drejtoreshës kur u bë drejtuese e këtij insitucioni dhe tashmë prapë janë harxhuar miliona e miliona euro e ende nuk kemi asgjë.
Korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit në këtë maternitet na bën që të mos kemi asnjë motivim kliniko-shkencor dhe kjo nuk tolerohet më me pronën publike, shkencore, shëndetësore, arsimore, sikurse është materniteti nr.2 Tiranë.
Ju falënderojmë!
(Letër e ardhur në redaksinë e gazetës “Shëndet+”)