Denoncimi: “Të fortët” zaptojnë trotuaret, të mbrojtur nga dështimi i strukturave denoncuese
Në redaksinë e Historia Ime ka mbërritur ky denoncim nga një qytetar i Tiranës. Veç fenomenit tashmë të njohur të zaptimit të hapësirave publike, ai denoncon mos-funksionimin e strukturave të denoncimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Bashkisë Tiranë.
Janë përkatësisht aplikacionet “Komisariati Dixhital”, ku denoncimi është bërë që një muaj më parë e kjo çështje ka mbetur ende nën shqyrtim dhe aplikacioni “Tirana Ime” i bashkisë Tiranë i cili nuk regjistron ankesat.
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje, Historia ime!
Jam një qytetar, banues në Tiranë. Kam një shqetësim që shpresoj ta publikoni, dhe pse jo me shpresën mbase mund të marri një zgjidhje. Po hidhem direkt në temë. Jetoj në një nga rrugicat e rrugës Myslym Shyri. Në këtë zonë është shumë vështirë për të gjetur vend parkimi e ato pak të lira që janë i kanë zaptuar të fortët, të shkathëtit, gangsterët, quajini si të doni.
Nëse më thoni që ju nuk e keni në dorë e duhet të adresohem atje ku duhet, e kam bërë. Dhe në fakt për këtë erdha te ju. Kam dërguar denoncimin tim tek aplikacioni “Komisariati Dixhital” më datë 18.07.2017 dhe sot që po ju shkruaj data është 16 gusht, pra ka kaluar thuajse 1 muaj, e denoncimi im gjendet ende në proces verifikimi.
Foto: Denoncimi në aplikacionin Komisariati Dixhital, datë 18.07.2017
Ankesën që kam kryer e kam bashkangjitur së bashku me foto ku tregohet shumë qartë se si janë vendosur hekura në tokë për të zënë vendin e parkimit dhe sigurisht adresën e saktë. Sa kohë u dashka për tu verifikuar?
Foto: Situata mbetet e njëjtë edhe një muaj pas denoncimit
Kohë më parë e kam dërguar ankesën time dhe tek aplikacioni i Bashkisë së Tiranës, “Tirana ime” por ai s’punonte fare. Shpresoj shumë që duke e publikuar rastin këtu mund ta shohë dikush që ka në dorë diçka dhe zgjidhet…
Ju faleminderit nëse e postoni.
/l.k./