Komuniteti LGBT+ gjatë regjimit nazist
Shënim: termi homoseksual i përdorur gjerësisht në tekst lidhet ngushtë me periudhën për të cilën po flitet. Në ditët tona ky term mund të zëvendësohet me anëtarët e komunitetit LGBTQ+
Mes viteve 1922 deri më 1933 Europa u trondit nga dy regjime që shënjuan tragjikisht shekullin e XX: nga ai fashist në Itali dhe nazist në Gjermani. Europa po kalonte një gjendje të paimagjinuar nga e cila vuajtën shumë kategori njerëzish mes tyre edhe homoseksualët.
Ruajtja e racës së pastër ariane si një ideologji kyçe në rendin nazist, solli shfarosjen e gjithë personave që u quajtën të “panevojshëm”, “të dobët”, “të papërshtatshëm” etj. Në Gjermani filloi menjëherë pastrimi i racës nga elementët e konsideruar të “ndryshëm” në mënyrë që mos të preknin racën e pastër, mos ta përzienin atë. Miliona persona, duke nisur që nga hebrenjtë, ciganët, Dëshmitarët e Jehovait, ateistët, kundërshtarët politikë, njerëz me aftësi ndryshe, prostitutat dhe homoseksualët nisën një kalvar të gjatë e të mundimshëm që i çoi në kampet e përqëndrimit e të shfarosjes.
Për këtë tragjedi janë shkruar shumë libra por ka ende pjesë të historisë që kanë mbetur në hije siç është rasti i homoseksualëve, i quajtur ndryshe “Homokausti”. Të quajtur rrezik për shoqërinë dhe pastërtinë e racës, homoseksualët, burra dhe gra u dërguan në kampet e përqëndrimit. Mijëra (numri i saktë me shumë mundësi nuk do të dihet kurrë) u shënjuan me një trekëndësh rozë dhe u detyruan ti nënshtroheshin eksperimenteve, torturave, poshtërimeve. Ata më të fortit që i rezistonin torturave dërgoheshin në dhomat e gazit.
Nga të dhënat e nxjerra rezulton se në bazë të ligjit për të dënuar homoseksualët nga viti 1933 deri 1945 u arrestuan 100.000 persona. Nga këta 60.000 vuajtën dënimin me burg, pjesa tjetër u dërgua në kampet e përqëndrimit. Sipas historianit Rudiger Lautmann vdekshmëria e homoseksualëve është ndër më të lartat mes kategorive të ndryshme të të burgosurve.
Ardhja në pushtet e regjimit nazist nënkuptonte shkatërrimin e një lëvizjeje homoseksuale që ishte zhvilluar që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse kishte një ligj që dënonte homoseksualitetin, paragrafi 175, i miratuar në 1871, ishte zhvilluar një komunitet homoseksual i lulëzuar; lindën grupe takimesh, shoqatash kulturore dhe politike që promovuan njohjen e të drejtave të homoseksualëve. Ata kishin një jetë sociale dhe lindën shumë aktivitete si: lokale, bare, restorante, librari, hotele.
Në vitin 1921 Magnus Hirschfeld, mjek homoseksual, themelues i Komitetit Shkencor Humanitar u vra në një atentat. Në vitet që pasuan lokalet dhe vendet ku mblidheshin anëtarët të komunitetit u vunë në shenjestër nga skuadrat naziste. Në 1928 partia naziste i shpalli homoseksualët armiq. Marrja e pushtetit nga Hitleri solli shkatërrimin e lëvizjes homoseksuale dhe nisi përndjekjen e tyre. Dënimi për ta nga 5 shkoi në 10 vite burg. Përqafimet dhe puthjet mes burrave, madje dhe fantazitë homoseksuale dënoheshin rëndë. Në kampet e përqëndrimit ata bënin punët më të rënda, trajtoheshin shumë keq jo vetëm nga nazistët por shpesh herë dhe nga të burgosurit e tjerë. Në dëshminë e tij një ish i dënuar homoseksual, Heinz Dormer thotë:
“Ne konsideroheshin racë famëkeqe dhe ata mund të bënin çtë donin me ne. Nëse vritnin ndonjërin prej nesh ata gradoheshin dhe ne duhet të rrinim të shikonim”.
Heinz Heger kujton:
“Një homoseksual që hynte në spital ishte e pamundur të dilte prej aty. Të burgosurit me trekëndësh rozë shërbenin si kavie eksperimentesh që në shumicën e rasteve përfundonin me vdekje”.
Një nga rastet është ai i mjekut danez Carl Vaernet i cili në një përpjekje të çmendur për të “shëruar” të burgosurit homoseksualë implantoi tek ata një gjendër seksuale artificiale me bazë të madhe testosteroni. Eksperimenti dështoi dhe 80% e të eksperimentuarve vdiqën. Tredhja gjithashtu ishte mjaft e përhapur.
Lezbiket, homokausti i padukshëm
Persekutimi i grave lezbike ishte më pak i përgjakshëm se ai i burrave gej. Arsyet e këtij ndryshimi shpjegohen në një letër shkruar në 1942 nga Ministri i Drejtësisë:
“Aktiviteti homoseksual i grave nuk është kaq i përhapur sa ai i burrave. Një nga arsyet që marrëdhëniet homoseksuale mes burrave dënohen rëndë në krahasim me ato të grave është dhe pesha e papërfillshme që këto të fundit kqnë në shoqëri”.
Të quajtura dorë e dytë në shoqëri, gratë lezbike u injoruan nga kodi penal gjerman. E megjithatë nazistët iu vunë pas qindra lezbikeve, mbyllën lokalet që frekuentoheshin prej tyre, ndaluan revistat. Një pjesë e grave lezbike zgjodhën të martohen me burra gej për t’i shpëtuar persekutimit, një pjesë u transferuan në qytete të tjera. Ato që nuk mundën ta fshihnin identitetin e tyre e paguan shtrenjtë.
Duke filluar që nga viti 1936 shumë prej tyre u mbyllën në spitale psikiatrike, shumë të tjera u dërguan në kampet e shfarosjes. Nuk dihet numri i saktë i lezbikeve që ishin pjesë e kampeve. Siç kishte ndodhur jashtë, ashtu dhe brenda kampeve prezenca e grave lezbike injorohej. Njihen vetëm pesë raste. Shumë të tjera ishin dënuar për arsye të ndryshme, pra nuk përmendej që ishin lezbike por thuhej se ishin të burgosura politike, hebreje, komuniste, prostituta. E për këtë motiv ato ishin të detyruara të punonin në bordellet e kampeve.
Ka shumë pak informacion se çfarë është bërë me to. Me siguri kanë vdekur si pjesa më e madhe e të burgosurve. Njihet rasti i Henny Sherman e cila vdiq në dhomën e gazit.
Ligjet që dënonin homoseksualitetin mbetën në fuqi në Francë dhe Angli ndërsa Italia vazhdoi politikën e saj të represionit të heshtur. Në diktaturat e tjera fashiste gjendja e homoseksualëve ishte e njëjtë. Në Spanjën frankiste homoseksualizmi dënohej me burg, Portugalia u shqua për operacionet e lobotomisë dhe elektroshokut të kryera nga doktor Moniz. Këto praktika u ndoqën edhe në SHBA dhe në Europë për shumë kohë. Në Bashkimin Sovjetik homoseksualët u përndoqën dhe u dërguan në gulage për të punuar në punë të rënda fizike. Në gulagët rus homoseksualët u rrahën, u poshtëruan, u detyruan të prostituonin, u vulosën me një tatuazh që tregonte arsyen e burgimit.
Ka shumë për të folur e për të shkruar për homoseksualët (për anëtarët e komunitetit LGBTQ+) veçanërisht gjatë regjimeve totalitare ku jeta e individit vlente shumë pak. Njerëzimi duket se ka harruar të vërë në listën e gjatë të viktimave, edhe personat LGBTQ+ dhe kalvarin e tyre të mundimshëm. Asnjë viktimë e luftës, urrejtjes, dhunës, persekutimit, shfarosjes nuk duhet harruar. Asnjë person LGBTQ+ nuk duhet dënuar për së dyti, e ndoshta harresa është edhe më e rëndë.
A.Sh.