Ne 2 shtator të vitit të kaluar, teksa po dilte nga zyra e Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi Akil Pano iu drejtua një grupi gazetarësh që i kishte thirrur vetë dhe u tha se po trajtohej me masa që i kujtonin totalitarizmin dhe persekutimin që Shqipëria u kishte bërë dikur priftërinjve apo njerëzve të fesë. Arsyeja pse Pano ishte thirrur në një seancë dëgjimore nga Komisioneri ishte për shkak se në disa televizione ai kishte folur me një gjuhë që aktivistët LGBT pretendonin se ishte gjuhë urrejtje. Më konkretisht ai kishte thënë, ndër të tjera: “…Të jesh gej, është gej, është devijancë, është të dalësh nga rruga… nuk ka akt më të shëmtuar, dhe nuk ka akt më skandaloz sesa të kërkohet dehumanizimi i qenies njerëzore duke i vendosur një numër”.
Pak ditë më parë unë u ndodha në një leksion për racizmin në Kanada ku jetoj prej vitit 2017. Dikush ma ngatërroi disa herë emrin. Dikush tjeter ndërhyri me shaka dhe pyeti nëse do e shqiptonte emrin gabim në rast se personi që do kishte përballë nuk do të ishte shqiptar, si në rastin tim, por i lindur në Kanada.
Ndërsa dje, teksa po publikonte disa foto të një pjese teatrale që po shfaqet në Tiranë, Xheni Karaj ndau në Facebook një ngjarje nga puna e saj si aktiviste. Ajo shkroi: “Para katër vjetësh një 15 vjeçar nga një qytet jugor më kontaktoi për të më treguar që pas daljes hapur në klasë kishte filluar të përjetonte dhunë sistematike në ambjentet e shkollës. Në një nga rastet e dhunës shokët e klasës e kishin mbërthyer prej fyti derisa kishte humbur ndjenjat. Prej asaj dite kishte filluar të përjetonte atake paniku dhe e kishte të pamundur të shkonte në shkollë. I kishte treguar drejtoreshës së shkollës për dhunën që pësonte dhe ajo i kish dhënë si zgjidhje që çdo 5 minutësh kur mësuesi të dilte nga klasa të shkonte në dhomën e pastrueses dhe të priste aty derisa të mbaronte pushimi mes orëve. K. filloi të bënte mungesa në shkollë për shkak të ankthit të përditshëm dhe atakeve të panikut. Drejtoresha mori vendimin që ta përjashtonte për shkak të mungesave dhe pse e dinte shumë mirë arsyen pse K. nuk donte më të shkonte në shkollë.”
Fjala “oppress” (shtypje) i ka rrënjët në gjuhën latine dhe do të thotë të mbash të shtypësh poshtë (pra me kahje përposhtë). Koncepti shoqëror dhe politik i shtypjes është pikërisht kjo: të mbash dikë në tokë, të përulur, ta ndalosh atë të lulëzojë, të mos e lesh të ngrejë kokë dhe ta ndalosh dikë të arrijë potencialet e veta duke e mbajtur përdhunshëm poshtë këmbëve të shtypësit, në një pozicion të disfavorshëm që nuk e lejon të ecë përpara.
Secili prej nesh mund të jetë ndjerë kështu në ndonjë moment të jetës: kur i ke ndalur marrëdhëniet me ndonjë mik që të ka përgojuar nga mbrapa apo të ka goditur si me thënë “me thikë pas shpine”. Edhe pse kjo mund të ngjajë literalisht me një episod shtypës, shtypja për të cilën ne do të flasim këtë javë në disa shkrime për të (oppression) është një formë tjetër shtypjeje. Ka të bëjë me aktet, apo proçeset që targetojnë në mënyrë të përsëritur disa njerëz apo grupe të tëra për shkak se ata perceptohen të jenë ose janë anëtarë në një grup të veçantë.
A është shtypur Akil Pano për shkak se i përket një komuniteti fetar që njihet nga shteti dhe përfiton të ardhura nga taksat e shqiptarëve? A duhet të pretendoj unë se jam shtypur në klasë ngaqë emri im nuk tingëllon shumë kanadez? A është shtypur djali që përmend Xheni Karaj për shkak se është pjesëtar i komunitetit LGBT dhe nëse po ku qëndron ndryshimi mes shtypjes dhe bullizmit?
Në fund të kësaj jave ne shpresojmë që ju të keni mësuar disa gjëra të reja rreth shtypjes dhe përpjekjeve për ta luftuar atë. Shpresojmë edhe që në fund të kësaj jave të keni mundësi t’u përgjigjeni vetë pyetjeve të mësipërme.
nga Kristi PINDERI