Ju në Shqipëri nuk keni një bar LGBTQ+?

“Le të shkojmë në një bar LGBTQ+, diku në Tiranë në darkë”-tha Tony i cili erdhi në Shqipëri për herë të parë në mes të qershorit të këtij viti, përpara se ta kuptonte se në Tiranë në fakt mungon një hapësirë e dedikuar komunitetit LGBTQ+ për argëtim.
26 vjeçari që nuk dëshiron që të identifikohet me mbiemër ka lindur në Helsinki të Finlandës ka rrënjë shqiptare, por që nuk e ka vizituar asnjëherë vendin tonë.
“Është e çuditshme”-thotë ai, teksa mëson për mungesën e bareve, clubeve të natës dhe hapësirave të tjera LGBTQ+.
“Tirana është qytet interesant, duket se gjërat po ecin shpejt, mund të gjesh ndoshta gjithçka, si ka mundësi që nuk ka një bar për komunitetin”-thotë ai, ndërsa shton në të qeshur se do të ishte një ide e mirë biznesi!
Pse mungojnë hapësirat LGBTQ+ në Shqipëri?
Është e vështirë të përcaktosh se përse nuk ka një bar LGBTQ+ në Tiranë, dhe kur jemi këtu flasim për gej bar të identifikuar që i përket kominitetit LGBTQ+.
“Në fakt do të doja që të kishte një bar gej në Tiranë, do të ishte interesante’-thotë Niku i cili shton se: “ka hapësira që janë ‘friendly’ ka bare që zakonisht shkojnë anëtarë të komunitetit, por nuk mund të quhet bar vetëm për komunitetin”.
27-vjeçari që jeton në Tiranë tregon se edhe në ato bare ku zakonisht shkon komuniteti LGBTQ+ ka diskriminim.
“Më kujtohet para 2 vitesh ndoshta, ishim një grup miqsh që shkonim pothuajse çdo ditë në një bar në zonën e Bllokut që frekuentohej kryesisht nga komuniteti. Një ditë, unë puthem me të dashurin tim, ishte thjesht një përshëndetje, dhe menaxheri na nxori jashtë, që nga ajo kohë nuk kemi qenë më aty”-tregon ai.
Po fqinjët tanë?
Në rajon duket se vetëm Shqipëria ka mbetur pas, sa i përket këtij aspekti.
Në Kosovë vitet e fundit është hapur “Bubble Pub” një bar i dedikuar komunitetit LGBTQ+.
Ai është hapur pikërisht nga një anëtarë i komunitetit LGBTQ+, ndërsa ai shërben si hapësirë argëtuese dhe kulturore në Prishtinë.
Edhe Mali i Zi është para në këtë aspekt.
Veç Podgoricës, hapësira për komunitetin mund të gjesh edhe në qytetet e tjera, përfshirë edhe plazhet e dedikuara për komunitetin.
Nga ana tjetër Serbia mban vendin e parë në rajon për numrin e hapësirave të argëtimit për komunitetin LGBTQ+./ HistoriaIme