“Janë shtuar shumë”, si sot edhe në kohën e Zogut komuniteti ka ekzistuar!

A ju ka rënë rasti që në një bisedë të paktën një herë të dëgjoni dikë të thotë “sa janë shtuar gejt”?
Besojmë që po!
Epo duket se këtë “shqetësim” që kanë shqiptarët sot e kanë pasur edhe në kohën e mbretërisë, kur Shqipërinë e drejtonte Mbreti Zog.
Në vitin 1937, ministri i Brendshëm i Mbretërisë Shqiptare të Ahmet Zogut, Musa Juka ngrinte si shqetësim përhapjen e asaj që e cilësonte si amoralitet në vend dhe “pederasti”.
Ja çfarë thuhet në një dokument që mund të gjendet në Arkivin Qëndrorë të Shtetit Fondi 152/20, Dosja 230, mikrofilm, viti 1937.
Ministër i Brendshëm Musa Juka:

“…Mjerisht kohët e fundit, ndjenja virtytit të naltë të moralit asht tue i çdukë dhe vendin e saj po e xen epshia e turpshme e imoralitetit e ç’ka asht ma keq e pederastisë. Për shqiptarin, gjaja ma e turpshme ka kenë vesi i pederastisë, dhe kush do që hetohej me at ves përbuzej. Ndër malsina një ves i tillë as që u njihte. Prej njoftimeve që bëjnë qarqet shohim se vesi i turpshëm i pederastisë po përhapet në një mënyrë shqetësuese. Asht nevoja pra që, kundër këtij vesi të merren masa luftimi pa kursyer asnjë mjet…”
Ky kominikim padyshim që është i rëndë, pasi tregon qartë shtypjen që ka pësuar komuniteti LGBTQ+ ndër shekuj në vendin tonë, por që e vërteton atë që shumë nuk duan ta pranojnë, se komuniteti “është shtuar shumë vitet e fundit”.
Prej vitit 1937 dhe deri më sot kanë kaluar 86 vite, dhe për 86 vite shumë prej nesh vijojnë të thonë “janë shtuar shumë”, ku në fakt komuniteti ka qenë aty që me krijimn e njerëzimit./ HistoriaIme