Italia vijon represionin ndaj komunitetit LGBTQ+

Veprimet ligjore kundër komunitetit LGBTQ+ kanë vijuar në Itali të nxitur nga qeveria e ekstremit të djathtë e kryeministres Georgia Meloni.
Qyteti verior italian i Padovës ka filluar heqjen e emrave të nënave lezbike jo-biologjike nga certifikatat e lindjes së fëmijëve të tyre, sipas legjislacionit të ri të miratuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni.
Këto çertifikata lindjeje i përkasin 33 fëmijëve të grave italiane që iu nënshtruan fekondimit artificial jashtë vendit dhe më pas i regjistruan fëmijët e tyre nën qeverinë e qendrës së majtë të qytetit, të udhëhequr nga Sergio Giordani, në 2017.
Zyra e prokurorit në Padova konfirmoi, se që nga e enjtja, 27 nëna ishin hequr nga 27 certifikatat e lindjes.
Giordani erdhi në pushtet duke premtuar se do të hiqte emërtimet tradicionale “nënë” dhe “baba” në certifikatat e lindjes, por kjo u anulua kur qeveria e Melonit urdhëroi autoritetet lokale të ndalonin regjistrimin e fëmijëve të prindërve të të njëjtit seks me emrat e tyre.

Masa nënkupton që vetëm prindi biologjik i një fëmije mund të shënohet në certifikatën e lindjes.
Surrogacia është e paligjshme në Itali dhe martesat e të njëjtit seks nuk janë legalizuar. Për shkak se marrëdhëniet e të njëjtit seks nuk njihen në ligj, prindi jobiologjik duhet të bëjë një proces të veçantë për birësimin ligjor të fëmijës së tyre.
Masa gjithashtu ndalon burrat në një marrëdhënie të të njëjtit seks që të regjistrojnë lindjen e fëmijës së tyre me emrat e të dy baballarëve. Në vend të kësaj, ata duhet të zgjedhin njërin për të qenë babai ligjor.
“Nuk ka diskriminim ndaj fëmijëve,” i tha parlamentit Ministrja e Familjeve Eugenia Roçella kur prezantoi projektligjin në qershor, duke shpjeguar se fëmijët e çifteve të së njëjtit seks do të kenë akses në shkollë dhe shërbime mjekësore ashtu si ata që kanë vetëm një prind të gjallë.
Efekti i ligjit është të kufizojë disa të drejta për prindin e paregjistruar dhe kërkon që ata të kenë leje për të kryer detyrat e përditshme familjare, të tilla si marrja e fëmijës nga shkolla ose përdorimi i shërbimeve publike në emër të tyre.
Organizatat LGBTQ+ kanë nisur protestat në lidhje me këtë masë.
“Këto certifikata lindjeje nuk kanë shkelur asnjë ligj që kur u nënshkruan në një vakum legjislativ, i cili tani i lë fëmijët tanë në harresë,” tha grupi në një deklaratë kur certifikatat e para u anuluan në qershor.
“Ne kërkojmë që fëmijët tanë të mos jenë gjë tjetër veçse qytetarë, plotësisht të mbrojtur dhe që familjet tona të mos shkatërrohen nga vullneti politik i qeverisë për të imponuar një model të vetëm familjar.”
Meloni bëri një fushatë të madhe anti-LGBT dhe që nga marrja e detyrës në tetor ka qenë e zëshme për dëshirën e saj për të siguruar që “të gjitha foshnjat të lindin nga një burrë dhe një grua”./ HistoriaIme