“TË RINJTË LGBT JANË MË TË RREZIKUAR NDAJ NGACMIMEVE NË SHKOLLA”

Nga: Irda Bajraktari
Nisur nga ky sondazh, unë realizova dy intervista me anëtarë të komunitetit LGBT, ku njëri ishte me profesion mësues dhe tjetri ish-nxënës. Sondazhi tregon se “Të rinjtë LGBT kanë më shumë të ngjarë se të rinjtë heteroseksualë të ngacmohen nga mësuesit dhe stafi tjetër i shkollës.”
-Intervistë me mësues, pjesë e komunitetit LGBT
• Si e shikoni reagimin e nxënësve kundrejt jush?
Kundrejt meje, akoma nuk arrijnë të më fusin diku të them të vërtetën se këta janë nxënës të rinj, por po të flasim për nxënësit që kam patur vjet, është ndryshe sepse ata i kisha nga klasa e tretë deri në klasën e pestë, ata i kam rritur vetë pothuajse. Më thonin p.sh: “Profesor, mund të rri me ty në klasë sepse nuk mund të rri me burra toksikë, dhe ti je njëri nga ne.” dhe këtë ma thoshtë një vajzë 10 vjeçe. Unë vitin e kaluar nuk e kam limituar veten nga asgjë, vishesha me ngjyra, vendosja unaza, gjëra të qarta obviously gay dhe nxënësit ishin të qartë me këtë gjë edhe prindërit e tyre. Dhe unë u ndjeva rehat të isha vetvetja me atë stilin tim. Në shkollën që jam tani, gjërat ndryshojnë tërësisht pasi e para nuk jam brenda qytetit, jam në një shkollë fshati, e dyta nuk e kanë dëshirën të mësojnë, dhe e treta janë akoma të surprizuar. Janë shumë të surprizuar, shikojnë mësues që nuk ju fut frikën, nuk janë autoritarë.
• Si mendoni se duhet të jetë marrëdhënia mes një mësuesi dhe nxënësi që mund të jetë pjesë e komunitetit të LGBT?
Unë jam me atë që quhet arsimi gjithëpërfshirës dhe unë ua bëj të qarta nxënësve disa rregulla që në fillim që mund të jenë, nuk është i lejuar bullizimi i asnjë lloj forme. Dhe ata (nxënësit) e kanë vërë re që unë reagoj ndaj kësaj. Kur njerëzit e shikojnë që fëmija i tyre ndihet i sigurtë në klasën time, nxënësit vijnë e flasin me mua për problemet e tyre dhe kthehen të lumtur në shtëpi, unë ndihem shumë më se i lumtur, e kam bërë punën time.
-Intervistë me një ish-nxënës, pjesë e komunitetit LGBT
• Si jeni ndjerë si nxënës? A keni përjetuar bullizëm?
Në klasën e katërt u ndje më shumë bullizmi tek mua. Gjithmonë sulmohesha me terma që për mua ishin lëndues. Në klasën e pestë u bë më keq dhe në klasën e shtatë degradoi fare. Njerëz që nuk më njihnin fare, thjesht më shikonin që flisja butë apo që nuk shaja dhe mendonin “ky duhet të jetë gay, le ta shajmë. Unë e kisha të vështirë që të drejtohesha diku për këtë sepse më dukej shumë gjë e vështirë për ta diskutuar me prindërit dhe nuk mund të drejtohesha as tek ndonjë institucion, psikolog apo mësues, sidomos tek mësuesit sepse kisha vënë re që çdo herë që isha shprehur nuk kishte bërë ndonjë ndryshim. Në vitin e parë gjimnaz dola haptazi dhe çuditërisht fillova të merrja shumë më pak gjykime dhe u ndjeva goxha më i pranuar se sa në 9 vjeçare, gjë që më bëri të ndjehem më rehat dhe më i hapur, por që prapë merrja gjykime. Gjykimet vinin gjithmonë nga njerëz që nuk më njihnin dhe njerëz që nuk e merrnin në konsideratë që të më njihnin dhe nga njerëz që nuk dinin asgjë për mua.
• Po marrëdhënia me mësuesit si ishte?
Përgjithësisht ka qenë e mirë. Në 9 vjeçare kam ndjerë një sjellje pak më ndryshe me dy mësues por jo diçka që të më shqetësojë apo të më bëjë merak thjesht më dukej ndonjëherë sikur më shikonin me një sy ndryshe. Në gjimnaz unë personalisht nuk jam sulmuar ndonjëherë nga mësuesit. Kam dëgjuar që kanë ndodhur gjëra të tilla. Ka patur një mësuese që më ka bërë goxha përshtypje. Në vitin e dytë për rreth dy muaj, çdo herë që vinte përmendte se si nuk ishte homofobe dhe pastaj thoshte “unë nuk do i lejoja gjëra të tilla, nuk më duket normale që gjëra të tilla të ndodhin”, pra unë personalisht nuk jam sulmuar por ka patur raste që janë thënë fjalë jo pak të rënda. Janë fjalë që të lëndojnë, ndonëse unë mund të jem ndjerë konfident me veten, ndonëse unë mund të jem ndjerë sikur jam në kontroll të situatës, shumë herë e kam vënë re që nuk jam në kontroll të situatës.
• Sipas jush, si duhet të jetë sjellja e një mësuesi me nxënës që mund të jenë pjesë e komunitetit LGBT?
Në rastin tim mendoj se mësuesi duhet të qëndrojë me sigurinë e nxënësit, në sensin që nëse ky bullizim bëhet i vazhdueshëm, një mësues që është realisht pranë me nxënësit, i kupton disa gjëra që nuk shkojnë. Mendoj se komunikimi është çelësi. Nëse një mësues do të fliste për tema të tilla në shkollë, ndoshta nuk do shikohej me një sy kaq të vëngërt.