Hapa dollapa./Të dalësh nga “dollapi” në Shqipëri.

Nga Vivian Mançellari
“Coming out of the closet” ose forma e shkurtuar e frazës, “coming out”, është një metaforë që përdoret për të përshkruar procesin gjatë të cilit një pjesëtar i komunitetit LGBT+ del hapur për shoqërinë, duke zbuluar orientimin e tij seksual, orientimin romantik ose identitetin gjinor.
Dr. Vivienne Cass, e cila është një psikologe dhe terapiste seksuale australiane, si dhe një emër i njohur si një ndër profesionistet e para e cila në një studim të nisur në vitin 1979, thotë që komuniteti LGBT+ është normal, shpalos një model të zhvillimit identitar LGBT+ me 6 faza. Fazat të cilat ky model trajton si rezultat i punës së Cass, me gej dhe lezbike në Australi, janë në vijimësi nga njëra – tjetra dhe të kthyeshme në momente të ndryshme të jetës të individëve të ndryshëm.
- Konfuzioni.
- Krahasimi.
- Vetëtolerimi.
- Vetëpranimi.
- Krenaria.
- Sinteza/largimi nga “Ne vs Ata”.
Po ku qëndron procesi i daljes nga “dollapi” mes gjithë këtyre fazave dhe proceseve që kalon një pjesëtar i komunitetit LGBT+?
Dalja hapur zakonisht ndodh gjatë fazës së vetëpranimit ose krenarisë, por kurdoqoftë, shumë do të rrëfenin se ky është momenti me impaktin më të madh në gjithë rrugëtimin e tyre.
Shumë më kompleks bëhet ky moment në vende si Shqipëria.
Për të kuptuar rreth kësaj, i referohemi intervistave me dy aktiviste dhe pjesëtare të komunitetit LGBT+; Ela dhe Alba. Të dyja vajzat janë në marrëdhënie prej vitesh me partneret e tyre respektive, por ndryshimi mes tyre është se Alba dhe partnerja e saj kanë dalë hapur si një çift i gjinisë së njëjtë, ndërsa Ela dhe partnerja e saj jo.
Ndërkohë që Albës i duhej të shkonte të vinte vajzat e saj në gjumë, unë me Elën u nisëm të gjenim një vend të qetë ku unë mund t’i drejtoja pyetjet që kisha menduar.
Ela është një vajzë që të jep shumë komoditet, gjë që më shërben mua për ta pyetur e ç’kompleksuar.
U ulëm diku dhe menjëherë nisëm bisedën tonë.
Ç’do të thotë të dalësh hapur në një shoqëri si shqiptarja?
‘’Së pari mendoj që do të ishte çliruese, sidomos me pjesën e familjes, sepse do të thotë që ke marrë guximin të thuash ‘Kjo jam unë!’, më pranoni dhe më doni kështu siç jam. Në pjesën e shoqërisë dhe në vendin e punës gjithashtu do të ndryshonin shumë gjëra.’’, nisi të më shpjegojë Ela.
‘’Ndihem keq për pjesën e familjes që nuk kam dalë hapur, sepse më duket sikur i gënjej gjithë kohës. Ata njohin një tjetër person…’’, vazhdon ajo.
Për ta qëlluar në zemër këtë dilemë të komunitetit LGBT+, duhet më parë të kuptojmë çfarë i pengon pjesëtarët të dalin nga “dollapi”. Përjetimin e saj Ela e shpjegon kështu:
‘’Ndoshta i lëndoj. E di që familja do më pranonte, por e di që do të lëndoheshin…’’.
Kohët e fundit, një zë i fortë kundërshtues përballë të drejtave të komunitetit LGBT+, është bërë ai i përfaqësuesve të besimeve të ndryshme fetare në vendin tonë.
Për Elën kjo është keqdashësi: ‘’Këtu ngatërrohet feja me besimin, ata që thjesht shkojnë pas feve, s’kanë lidhje me Zotin, për mendimin tim.’’, thotë ajo.
Çfarë e vret më shumë një vajzë lezbike në Shqipëri, mes gjithë problematikave që ajo has?
Ela përgjigjet me buzëqeshjen tashmë të venitur: ‘’Personalisht do më vriste nëse unë dhe partnerja do të kishim nevojën e njëra – tjetrës për një spital apo gjykatë, unë ligjërisht nuk i gjendem dot pranë. Nëse unë kam disa të ardhura dhe nesër ndodh që unë vdes, pjesën time nuk e gëzon partnerja ime.’’
Gjatë bisedës tonë, ndër të tjera, Ela më rrëfeu se ndjen një farë përgjegjësie ndaj komunitetit për të dalë hapur…:
‘’Sepse unë mendoj që mund t’i jepja shumë aleancës dhe komunitetit, me formimin tim dhe imazhin tim të pakonsumuar.’’
Dhe biseda me Elën për daljen hapur, u mbyll me këtë deklaratë shpresëdhënëse: ‘’Në një moment do ta bëj! Ndoshta kur të jem gati do dal me flamur “Ej, jam dhe unë këtu!”.
Pas intervisës, teksa unë dhe Ela po bisedonim duke ecur buzë liqenit të Ohrit, Elën e telefonoi Alba. Alba na tha se vajzat ishin në gjumë, kohë kjo që ne do ta shfrytëzonim për të zhvilluar intervistën me të…
Albën e gjeta ulur buzë liqenit, shkova u ula pranë saj…
Të dalurit hapur në një shoqëri si e jona, merr një tjetër ngjyrim e rrëfyer nga Alba, e cila ka dalë hapur prej vitesh tashmë.
‘’Përveç përfitimeve personale dhe shpirtërore, sepse nuk do t’i gënjesh më njerëzit; prindërit, motrën, vëllain, shoqërinë, dhe kjo është shumë gjë e madhe, pavarësisht se mund të duket si diçka e vogël… përfiton edhe përçmimin e njerëzve, ngacmimet, gjuhën e urrejtjes online dhe jo vetëm. Kështu që përfiton më shumë të këqija sesa të mira… Por prapë “ia vlen!’’, nis të ndajë Alba nga eksperienca e saj.
‘’Kur kam bërë “coming out” tek prindërit, pavarësisht reagimit që patën, u ndjeva e rilindur!’’, vazhdon ajo.
Përballë komunitetit LGBT+ hidhet vazhdimisht togfjalëshi “familje tradicionale”. Për ta kontekstualizuar këtë në realitetin shqiptar, Alba ka këndvështrimin e saj.
‘’Ka shumë lloje familjesh, të paktën për mendimin tim. Dhe sidomos në Shqipëri nuk ke familje tradicionale, sepse ke familje që rrisin fëmijët me prindërit dhe me gjyshërit, ke familje ku rriten fëmijët me gjyshërit, ke familje me prindër “single”, ke familje tashmë edhe me dy prindër të së njëjtës gjini… kështu që “familja tradicionale”, për mendimin tim në Shqipëri nuk ekziston. Por unë them që thelbi i familjes duhet të jetë dashuria! Po pati dashuri, nuk ka nevojë për asgjë tjetër.’’, thotë Alba.
‘’Dhe më beso që në familjen tonë ka shumë dashuri! Sepse po ta mendosh, i kemi bërë ballë shumë gjërave, të mira, të këqija, kemi humbur shumë njerëz, si fizikisht dhe jo, dhe prapë i kemi bërë ballë dhe u bëmë nëna! Kështu që, e kemi shumë të fortë atë lidhjen dhe dashurinë midis nesh.’’, shton ajo.
Duke qëndruar tek familja tradicionale, Alba tregon se si e pozicionojnë ajo dhe partnerja e saj, Edlira, familjen e tyre brenda këtij nocioni:
‘’Nëse ‘tradicionale’ quhet një familje burrë dhe grua, atëherë jo, nuk jemi një familje tradicionale. Nëse tradicionalja nënkupton dashurinë, t’i rrisësh fëmijët me respekt, t’i edukosh, t’i mësosh që duhet t’i respektojnë të tjerët, të jenë njerëz të mirë, atëherë po, jemi plotësisht një familje tradicionale!’’.
E teksa për Elën lufta e hapur e fesë përballë komunitetit LGBT+, është keqdashësi, për të njëjtën çështje, Alba pati këtë për të thënë:
‘’Frikë nga e panjohura nuk është, sepse komuniteti LGBT+ në Shqipëri është i hapur prej shumë vitesh tashmë. Është shumë e lehtë të informohesh në këtë kohë, mjafton të hapësh GOOGLE, sepse mund të marrësh informacion nga kisha e pastorit Akil Pano, por duhet të marrësh shumë burime dhe pastaj të vendosësh çfarë është më e mira për ty dhe cila është e vërteta. Është një agjendë, pavarësisht se akuzohemi ne se kemi agjendë, që në fakt e kemi; barazinë mes të gjithë njerëzve. Kur vjen momenti, dalin në emisione dhe thonë se “ata” nuk i pengon askush, janë të respektuar, të nderuar… por në fund të ditës unë shtrihem me partneren time në krevat duke mos patur asgjë të sigurt nga ana ligjore, duke menduar që nëse nesër i ndodh diçka partneres time, ata fëmijë nuk janë të mitë por shkojnë në jetimore. Unë nuk mund të martohem. Dikush nga ne mund të mos dojë të martohet, por fakti që s’mundemi, do të thotë që nuk jemi të barabartë.’’
Biseda me Albën derivoi në aspekte të tjera të përvojës së saj si aktiviste e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBT+. Ajo u ndal të fliste për ndryshimet që sheh sot në krahasim me 10 vite më parë.
‘’Tek vetja ime shoh që kam mësuar ta jetoj jetën shumë më e lirshme, sepse më përpara mendoja që në rrugë duhet të ishim serioze, nuk duhet të kapeshim prej dore, a ku di unë se çfarë… të puthesha jo e jo! Sot nuk shqetësohem për çfarë mendojnë njerëzit. E jetoj jetën, sepse vetëm një kam!’’.
Ndërsa për gjendjen e komunitetit, Alba kishte këto për të thënë:
‘’Gjatë këtyre 10 viteve kemi patur progres, por në dy vitet e fundit kemi patur goxha regres. Sidomos për shkak të faktorëve që përmendëm më sipër, si feja. Por më beso që nuk janë të gjithë pastorët dhe imamët kaq radikal sa këta që po dëgjojmë kohët e fundit. Në fund të fundit kush beson, e di se librat fetar nuk ndjellin urrejtje kundrejt askujt. Nuk e di çfarë ka ndikuar që urrejtja është në masë tashmë…’’.
Po sipas Albës, çfarë e vret më shumë një vajzë lezbike në Shqipëri, mes gjithë problematikave që ajo has?
‘’Etiketimi. Qenia ime nuk kufizohet tek të qenit lezbike. Unë jam shumë gjëra njëkohësisht, aktiviste një prej tyre. Dhuna fizike, dhuna në rrjetet sociale është e tmerrshme. Kohët e fundit nuk e di pse flitet vetëm për çështje LGBT+, ndoshta është mënyra më e mirë për të arritur klikimet…’’.
Pas 10 vitesh bashkëjetesë, Alba dhe partnerja e saj, Edlira, janë bërë nëna të dy vajzave dhe janë aktualisht në një betejë ligjore për njohjen dhe mbrojtjen e vajzave të tyre. Ajo më shpjegoi cila është strategjia që po ndjekin përgjatë këtij procesi gjyqësor.
‘’Kjo betejë ka nisur me një strategji të mirëmenduar. Ne e dimë që gjyqësori në Shqipëri, edhe po të funksiononte siç duhet, do na jepte përgjigje negative, sepse këto janë kushtet ligjore. Ne po shpresonim që kjo çështje të ecte më shpejtë, sepse vajzat janë pothuajse dy vjeç dhe beteja ka nisur që përpara se të lindnin… Ne presim të kalojmë disa hallka këtu dhe më pas të shkojmë në Gjykatën e Strasburgut. Aty po, presim një përgjigje pozitive ose një rekomandim për shtetin Shqiptar”.
Duke patur parasysh debatin e madh që shkaktoi çështja “Prindi 1”, “Prindi 2”, në përfundim e pyeta Albën si ajo dhe partnerja e saj kërkojnë të regjistrohen në çertifikatën familjare të gjendjes civile.
Kësaj pyetjeje, Alba i jep një përgjigje rrënqethëse:
‘’Ne kemi kërkuar bashkëmëmësinë; kërkojmë që aty të jetë opsioni “Nëna-Nëna”, “Babai-Babai”.
Por edhe po të më regjistronin si “Përbindëshi”, nuk do më prishte punë, mjafton që vajzat të jenë të miat edhe ligjërisht!’’
Me këto fjalë, përfundoi kjo bisedë…
*Për të ruajtur anonimitetin e të intervistuarës, vendosëm ta përfshijmë në artikull me emrin fiktiv “Ela”.
Referenca: