Zejtaria dhe artizanati, profesionet që do t’i shpëtojnë taksave të biznesit
Zanatçinjtë do të çlirohen nga të gjitha llojet e taksave, me të cilat trajtohen bizneset. Një projektligj për zejtarinë që pritet të miratohet këto ditë nga qeveria parashikon hartimin e listës së profesioneve që në thelb nuk trajtohen si aktivitet tregtie, shërbimesh apo prodhimi industrial.
Drafti i përgatitur në bashkëpunim me grupet e interest, përcakton disa kushte për të qenë zejtar apo artizan. Sipas përkufizimit të bërë nga drafti, janë katër lloje aktivitetesh që përmblidhen në zejtari:
“Zejtaria prodhuese, është përpunimi dhe prodhimi i produkteve për treg e që nuk kanë veçori të prodhimit industrial; Zejtaria e shërbimit është mirëmbajtja dhe riparimi i prodhimeve, stabilimenteve, objekteve, si dhe kryerja e shërbimeve të tjera; Artizanati është punimi dhe përpunimi i objekteve të artit, cilësia e të cilave varet nga shkathtësia e prodhuesit; Artizanati shtëpiak është punimi me dorë i produkteve të veçanta, të cilat zejtari i punon vetë ose me anëtarët e familjes”.
Qeveria do t’u caktojë zejtarëve kushtin që të regjistrohen dhe të anëtarësohen në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, krahas regjistrimit në QKR. Zejtarët do të paguajnë kontributet e sigurimeve për vete dhe për të punësuarit.
“Çdo veprimtari zejtare duhet të drejtohet nga një mjeshtër”, përcakton drafti. Çertifikata e mjeshtrit jepet pas kalimit me sukses të provimit të kualifikimit për mjeshtër. Provimi i kualifikimit për mjeshtër vërteton nëse ai që i nënshtrohet provimit zotëron njohuritë teorike dhe praktike të nevojshme për të ushtruar zanatin përkatës në mënyrë të pavarur, për të drejtuar një subjekt zejtar dhe për të kualifikuar çirakë.
Ndërkaq, një listë profesionesh pritet të hartohet dhe t’i jepet qeverisë. Sipas draftit, dhoma e zejeve harton listën e veprimtarive zejtare e cila i referohet nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe profesioneve në zejtari. Subjekti zejtar duhet të ketë seli dhe lokal të veprimtarisë, kur këtë e kërkon natyra e punës. Nëse për kryerjen e veprimtarisë zejtare nuk është i nevojshëm lokali i veprimtarisë zejtare, atëherë selia e zejtarit është vendqëndrimi i tij.
Burimi: Gazeta Shqip