Shqipëria, 3 herë më pak mjekë se në Europë
Ilda Hoxha për Gazetën Shqip
Pse mjekët largohen nga Shqipëria? Një studim i Organizatës Ndërkombëtare për Studime Kërkimore në Fushën e Shëndetit (Healthgrouper) bërë për vendet e Ballkanit, rendit arsyet e emigrimit të mjekëve shqiptarë, si dhe problematikat e tyre. Një prej arsyeve kryesore të largimit të mjekëve përtej kufijve të Shqipërisë është paga e ulët mujore. Madje, në studim sqarohet se mjekët e specializuar ne vendin tonë paguhen njësoj sa një specialist në një departament të caktuar në cilindo ministri. “Arsyet kryesore për migrim janë mundësitë për zhvillim profesional, si dhe të ardhurat më të larta. Përveç problemeve ekonomike te mjekët e përfshirë në këtë hulumtim dominojnë edhe arsyet politike, që i detyrojnë të migrojnë jashtë shtetit të tyre. Gjatë diskutimeve me mjekët nga Shqipëria, mjekët e rinj e lidhin mundësinë për punësim drejtpërdrejt me lidhjet partiake. Ndikimi i politikës në fushën e punësimit dhe zhvillimit të karrierës paraqitet si një faktor që kontribuon shumë në largimin e kuadrove të dëshpëruara. Gjithashtu, mjekët ndihen të kërcënuar nga pacientët, pasi shpeshherë për shkak të presioneve të tyre, detyrohen t’u japin atyre mjekimin e gabuar, vetëm e vetëm për shkak të dhunës psikologjike që ushtrojnë qytetarët. Ata janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, sulmeve verbale dhe fizike, presioneve dhe shantazheve dhe nuk ndihen të sigurt”, thuhet në studimin e Healthgrouper. Ndërsa mjekët e pyetur janë shprehur: “Të ardhurat e një mjeku specialist që ka investuar gjithë jetën është e barabartë me të një specialisti në ministri, i cili është futur në punë me mik. Profesionistët mjekësorë diskutojnë mbijetesën financiare. Kur shkojnë mjekët në punë të mos diskutojnë kushtet e punës apo ‘spiunimi’ nga pacientët”. Gjatë dy viteve të fundit janë larguar nga vendi ynë 170 mjekë dhe 80 infermierë. Ndërkohë janë kryesisht mjekët e rinj, të cilët synojnë të lëvizin drejt shteteve të tjera për të punuar. Emigrimi i mjekëve është një ndër problemet kryesore që rendit studimi, pasi në vendin tonë ka një mungesë të theksuar mjekësh. Duke iu referuar këtij të fundit, Shqipëria ka tre herë më pak mjekë se mesatarja e vendeve të Europës. “Migrimi i personelit shëndetësor po bëhet një fenomen në rritje, vrull ky që mund të kërcënojë stabilitetin e sistemeve shëndetësore. Gjithashtu, ky fenomen kontribuon në uljen e cilësisë së shërbimeve të ofruara duke zvogëluar transferimin e nevojshëm të njohurive mes brezave. Shqipëria në vitin 2012 kishte mesatarisht 1.145 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që mesatarja europiane në të njëjtin vit ishte 3.4 mjekë për 100 banorë, pra afërsisht tre herë më pak se mesatarja europiane”, theksohet në studimin e kryer nga Healthgrouper. Mjekët ndihen të dëshpëruar dhe demoralizuar dhe në të gjitha rastet nuk i rekomandojnë askujt që të bëhet mjek. “Ajo që është shqetësuese dhe e pranishme në të gjitha vendet ku po implementohet studimi në fjalë është se mjekët e të gjitha gjeneratave nuk ua rekomandojnë profesionin mjekësor gjeneratave të reja. Pacienti kërkon mbivendosje të situatave, ku nëse pacientit i tregon diçka më tepër e ke dhunuar, po nuk e sqarove pse nuk ia ke shpjeguar. Kemi bërë betimin e Hipokratit në bazë të cilit kemi disa detyrime, por kryesorja është që po na ikën kënaqësia e profesionit, gjë që është themelore”, thotë një mjek nga Shqipëria. Lidhur me statusin social që kanë mjekët në Shqipëri, një mjek specialist është shprehur se dëshiron që të jetë i respektuar në shoqëri dhe të ketë një status ligjor të caktuar, gjë që nuk ndodh aktualisht. Migrimi i personelit shëndetësor mund të paraqitet si problem, por mund të jetë edhe një përfitim. Nëse bëhet fjalë për migrim të pakthyeshëm sidomos të specialistëve me përvojë, atëherë kjo paraqet problem për gjithë sistemin shëndetësor. Por, nëse bëhet fjalë për migrim të kthyeshëm të kuadrit shëndetësor, gjatë të cilit qëndrimi në vendet e zhvilluara shfrytëzohet për përsosje profesionale, ky do të ishte një përfitim i madh.
Shkaku
Një prej arsyeve kryesore të largimit të mjekëve përtej kufijve të Shqipërisë është paga e ulët mujore
Presioni
Mjekët ndihen të kërcënuar nga pacientët, pasi shpeshherë për shkak të presioneve të tyre, detyrohen t’u japin atyre mjekimin e gabuar
Som
Migrimi i personelit shëndetësor po bëhet një fenomen në rritje, vrull ky që kërcënon stabilitetin e sistemeve shëndetësore