Një vështrim mbi marrëveshjen Greqi- eurozonë
Greqia ka arritur një marrëveshje paraprake të hënën për të tretën herë për një ndihmë financiare multi miliardash euro nga anëtarët e tjerë të eurozonës. Marrëveshja përfshin masa të ashpra ekonomike që Greqia duhet ti kalojë shpejt në ligj para se të mund të marrë kredi të reja.
Një deklaratë nga samiti i liderëve të eurozonës thotë se këto “kërkesa minimale” nuk garantojnë një rezultat të suksesshëm për negociatat e shpëtimit.
Ja se çfarë duhet të bëjë Greqia:
– Të kërkojë mbështetje të vazhdueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe pasi programi aktual i FMN-së skadon në fillim të vitit 2016.
– Të riorganizojë taksën e konsumit dhe të zgjerojë bazën tatimore për rritjen e të ardhurave. Ligjet për këtë priten deri të mërkurën.
– Reforma të shumëfishta në sistemin e pensioneve për ta bërë atë financiarisht të qëndrueshëm. Reformat e para priten deri të mërkurën, të tjerat deri në tetor.
– Mbrojtja e pavarësisë së agjencisë së statistikave të vendit.
– Prezantimi i ligjeve deri të mërkurën që do të siguronin “shkurtime gati automatike të shpenzimeve” nëse qeveria tejkalon objektivat e saj të sufiçitit buxhetor.
– Të rregullojë sistemin e drejtësisë civile deri në 22 korrik për ta bërë atë më efikas dhe për të zvogëluar shpenzimet.
– Të kryejë reformat e tregut të produktit që përfshijnë lejimin e dyqane të rrinë hapur të dielave, zgjerimin e periudhës së shitjes, të hapë pronësitë farmaceutike, të reformojë furrat dhe tregun e qumështit dhe të hapë profesionet e mbyllura dhe të mbrojtura, duke përfshirë transportin e trageteve.
– Të privatizojë operatorin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike ose të gjejë masa alternative me të njëjtin efekt.
– Të rregullojë tregun e punës. Kjo përfshin shqyrtimin e marrëveshjeve kolektive, veprimeve industriale dhe rregulloret kolektive të shkarkimit nga puna.
– Të trajtojë bankat që nuk japin kredi dhe të forcojë qeverisjen bankare.
– Të rrisë ndjeshëm programin e privatizimit, duke transferuar 50 miliardë € vlerë të aseteve greke në një fond të pavarur, me seli në Greqi, për të kryer privatizimet.
– Të modernizojë, forcojë dhe të zvogëlojë shpenzimet e administratës greke, dhe propozimi i parë duhet të ofrohet deri në 20 korrik.
– Të lejojë anëtarët e tri institucioneve të mbikqyrin reformat e Greqisë – Bankën Qendrore Evropiane, FMN-në dhe Komisioni Evropian, i njohur më parë si “troika”, që të kthehet në Athinë. Qeveria duhet të konsultohet me institucionet për gjithë projekt-legjislacionin përkatës para se ta dërgojë atë për konsultim publik ose në parlament.
– Të rishqyrtojë, me synimin për të ndryshuar, legjislacionin e miratuar gjatë gjashtë muajve të fundit që konsiderohet se është tërhequr nga angazhimet e mëparshme të ndihmës./A.A.