Kur ciftet gej dhe ato hetero mund te mesojne nga njeri tjetri…
Nga Ermal Mara
Në Shqipëri, ndryshe nga vende të tjera, asnjëherë nuk dëgjova pyetje me vend përsa i përket martesave gej. Më së shumti ishin pyetje absurde, si mund të martohen tre persona me njëri-tjetrin? Nuk e di ju, por herën e fundit që pash një çift gej, numërova një çift personash, pra dy, për ata që nuk e dinë se sa është një çift.
Pyetje të pafajshme që i kam bërë unë, pra si gej që jam, apo edhe miku ynë më i ngushtë, edhe ai gej, kanë qënë : “Si do e bëjmë festën e beqarisë? Kush do shkojë i pari për të parë natën se çfarë bëri zhurmë? Do e harrojmë të dy përvjetorin? (jemi të dy meshkuj). Kush do të vonohet gjysëm ore për t’u bërë gati? etj etj” .
Edhe pse përveç pyetjes së parë, pas katër vitesh e gjysëm bashkë, të tjerat i dimë tashmë. Unë do shkoj i pari natën, ai do e harrojë përvjetorin dhe ai vonohet shumë për t’u bërë gati. Megjithatë, unë gatuaj. Vetëm nga këto pak përgjigje mund të shikohet se sa jo konform rregullave të “martesës” është marrëdhënia jonë.
Megjithatë, është një lidhje që funksionon dhe është e plotë. E sjell këtë rast si shembull në përpjekje për t’i dhënë një përkufizim martesave gej duke i krahasuar ato më martesat heteroseksuale (strejt). Ka shumë ngjashmëri midis këtyre dy grup martesash, por një dhjetë vjeçar me studime sociale tregojnë se çiftet e seksit të njëjtë i janë përshtatur këtij institucioni në mënyra të ndryshme.
Marrëdhëniet gej kanë tendecën për të qënë më egalitariane do thoshte ndonjë filoqyl frankofon, ose siç më pëlqen mua të them, barazimtare. Kjo ndodh pjesërisht sepse çiftet e të njëjtit seks nuk e ndajnë “punën” sipas rregullave tradicionale gjinore. Çiftet gej kanë më pak konflikte dhe më shumë lumturi në marrëdhëniet e tyre. Gjithashtu, duke qënë se çiftet gej shpeshherë u mungon përkrahja e familjes, ata e marrin atë nga një rrjet shoqëror disa herë më i madh se sa anëtarët e familjes.
Nuk do doja të merja Amerikën si një pikë krahasimi me Shqipërinë duke qënë se flasim për vende me tradita të ndryshme fetare, gjithësesi, ajo mbetet një nga burimet më të pasura të informacionit. Studiuesit sociologë të marrëdhënieve thonë se ka mësime të rëndësishme që mund të nxirren nga studimi i martesave të suksesshme dhe të pasuksesshme gej.
Kështu përshembull, Institui Kombëtar i Shëndetit (USA) ka financuar Universitetin e San Diegos i cili ka ndjekur për dhjetë vite me rradhë çifte gej dhe strejt. Ky është një nga studimet më të mëdha në sojin e tij, i cili filloi pasi Vermonti ligjëroi bashkimet civile midis sekseve të njëjta në vitin 2000. Studimi origjinal u përqëndrua në thuajse 1000 çifte, duke përfshirë këtu çiftet gej dhe të afërmit e tyre heteroseksualë të martuar (motra/vëllezër).
Duke qënë se u përfshinë motrat dhe vëllezërit e personave gej, kërkuesit mund të krahasonin ngjashmëritë dhe diferencat ndërmjet çifeteve gej dhe çifteve strejt me mosha të afërta dhe prejardhje familjare dhe fetare të ngjashme/njëjta. Sot 750 çifte vazhdojnë të jenë bashkë dhe IKSH do të nisë një studim të ri për dhjetë vjeçarin e ardhshëm.
Përsa i përket Amerikës, çiftet që kanë bërë bashkimet civile në vitin 2000 do të jenë çiftet ligjore me lidhjet më të vjetra në atë vend. Vetë kërkuesit shprehen sa ka shumë për të mësuar duke ndjekur ecurinë e tyre dhe ende dimë shumë pak.
Të dhënat e para u publikuan në vitin 2004 dhe një fazë e dytë e studimit u publikua në 2008-ën. Shumë nga gjetjet u cilësuan si “ndriçuese” por ato ngritën më shumë pyetje të tjera se si gjinia mund të influencojë në dinamikën e martesës.
Një nga gjetjet më dalluese ishte se thuajse për çdo matje, çiftet e sekseve të njëjta ishin më të lumtura në marrëdhënien e tyre se çiftet heteroseksuale. Në çiftet gej ishte regjistruar shumë më pak konflikt se sa në ato heteroseksuale dhe më shumë intimitet. Gjithashtu, çiftet gej ishin më të sigurtë se ata mund të besonin dhe të hapeshin tek partnerët e tyre, të përjetonin më shumë dashuri dhe ishin më të lumtur me jetën e tyre seksuale.
Një arsye pse shohim këtë mund të jetë sepse marrëdhëniet e tona janë më pak të përkufiziuara nga rolet tradicionale. Meshkujt, gej apo strejt, shpeshherë e kanë më të lehtë të komunikojnë dhe të ndajnë këndëvështrimet e tyre me meshkuj të tjerë. Femrat gjithnjë e kanë më të thjeshtë për të komunikuar me femra të tjera.
E keni dëgjuar atë shprehjen “Meshkujt nga Marsi e femrat nga Venusi”. Është më e thjeshtë të zgjidhen konfliktet brenda planetit, apo jo? S’ka nevojë për delegacione hapsinore. Pra, çdo gjë është e barabartë, bëhet fjalë për dy partnerë të cilët janë rritur në një ambjent social të ngjashëm.
Edhe pse çiftet gej duken shumë të lumtur deri në 2004-ën, gjithashtu ishin edhe ata që ndaheshin më shumë. Përqindja e ndarjeve tek çiftet pa bashkime civile ishte 9.3% dhe tek ata me bashkim civil 3.8%, ndërsa për të njëjtën periudhë, vetëm 2.7% e çifteve heteroseksuale ishin ndarë.
Kjo gjë mund të duket kontradiktore, por është e qartë që faktorë të jashtëm, si presioni familjar, fëmijët dhe angazhimet financiare (kreditë p.sh) , luajnë një rol më të madh se sa ishte menduar në kohëzgjatjen e një marrëdhënieje. Sot për sot, çiftet gej kanë lidhje më të dobëta farefisnore dhe me më pak gjasa për të patur fëmijë.
Të dhënat gjithashtu na tregojnë se njohja ligjore e një bashkimi dashuror është si një lloj ngjitësi që mund të ndihmojë çiftet e ndryshme për të mbatur një marrëdhënie të gjatë.
Në fakt, edhe ne si çift kemi kaluar momentet tona të vështira, edhe mund të them në ndonjë rast ndarja dukej si diçka … e thjeshtë. Në fund të fundit, përveç dëmit emocional, nuk do të ndodhte asgjë tjetër. Kur e krahasoj me proçesin e ndarjes ligjore, atëherë besoj se është e dukshme pse shumë çifte i shmangen ndarjes, divorcit.
Por, mendoj se varet edhe nga personat, ka çifte heteroseksuale të martuara që janë në gjendje të mjeruar dhe qëndrojnë ashtu, ndërsa të tjerë janë treguar më të shpejtë dhe janë ndarë. Nuk jam i mendimit se vetëm përse heteroseksualët qëndrojnë më gjatë bashkë të martuar është barazim i lumturisë së tyre. Sidomos në Shqipëri, ka shumë faktorë të jashtëm, më shumë presion të hapur shoqëror që i detyron këta çifte të qëndrojnë bashkë.
Ajo që duhet të kuptohet është se duhet të mësojmë nga njëri-tjetri, qoftë për komunikimin në çift, një jetë të kënaqshme seksuale apo si të qëndrojmë për një kohë më të gjatë bashkë. Edhe ne si çifte gej duhet të ndajmë më shumë eksperiencat tona në forma më të hapura, të mësojmë nga gabimet e njëri-tjetrit dhe të jemi një komunitet më i fortë.