Gerdecin dhe romet smund tia leme Delijorgjit – Editorial nga Mero Baze
Editorial nga Mero Baze
Shqipëria po përballet prej vitesh me një problem nga më seriozët për një shtet normal, problemin e socializimit të romëve. Ata kanë formuar geto rrotull qyteteve, në fusha, në lumenj, pas stadiumeve, në rrugë të madhe dhe bile m’u në mes të bulevardit në Tiranë.
Ata po rriten nën një racizëm të pashoq shqiptarësh, të cilët gjithë komplekset e tyre të inferioritetit i zbrazin tek ata. I shajnë, i fyejnë, i rrahin, i lënë pa bukë, pa punë, pa shtëpi, pa të ardhme dhe kujtohen për ta kur dikush prej tyre vret apo bën ndonjë akt pervers publik.
Këtë radhë shkak për t’u kujtuar ata u bë Delijorgji. Kam shkruar shumë për këtë biznesmen, për lidhjet e tij me të birin e Sali Berishës dhe sekserët e Familjes Berisha. Ajo që më tërhoqi vëmendjen është se media, përfshi dhe gazetën Tema, i referohet atij si Delijorgji i Gërdecit. Më tej akoma, një veprimtare e të drejtave të njeriut afër qeverisë Berisha, i referohet po ashtu si njeri i Gërdecit. Kjo kakofoni zërash dhe vajtojcash në të vërtetë nuk ka lidhje as me ndonjë keqardhje për Gërdecin dhe as më pak me romët.
Së pari, Gërdeci nuk është i Delijorgjit, por i Familjes Berisha, dhe nëse dikush ka me nder b… ta zërë në gojë Gërdecin, të zërë autorin real që akoma nuk ka shkuar në prokurori, akoma nuk ka kërkuar ndjesë për viktimat dhe akoma ne nuk riparojmë dot dëmet që bëri në drejtësinë shqiptare, të cilën e përmbysi në favor të vet për të mos u dënuar. Mos t’ia lëmë Gërdecin atij që ia la drejtësia e Berishës, por t’ia lëmë Berishëve dhe të kërkojmë drejtësi për ta.
Së dyti, marrja shkas nga Delijorgji për t’u marrë me romët është shumë fyese. Dhe këtu nuk më del e keqja me ata që vajtojnë romët duke gjetur shkak Delijorgjin. Delijorgji ka marrë një leje ndërtimi nga Lulëzim Basha, bile e ka marrë atëherë kur nuk ishte firmosur plani i rregullimit të Tiranës. E ka marrë kur nuk lejohej që Basha të firmoste leje ndërtimi. Ballauri ka qenë pjesë e enturazhit elektoral të Lulëzim Bashës, pjesë e Forumit të Intelektualëve që i bënin fresk në fushatë dhe mund t’i adresohet atij që ka ndihmuar në këtë situatë. Njeriu, që duhet të kujdeset për romët, që duhet t’u gjejë banesa, punë dhe t’u hapë perspektivë, është Lulëzim Basha. Është ai person që ka dhënë leje ndërtimi për Delijorgjin, dhe askush nuk i përmend emrin. Kjo është një hipokrizi vrasëse e shoqërisë civile, që tenton të merret me çështjen e romëve.
Ishte Lulëzim Basha dhe njerëzit e tij që u dogjën kasollet dhe i zbuan në fushatë në premtim të ndërtimeve për bandat e tij. Kthimi i Delijorgjit në sebep për t’u dukur sikur mbrojmë romët është një hipokrizi e re. Ne mund t’i kërkojmë Delijorgjit dhe gjithë Delijorgjëve një kuotë në ndërtime për strehimin e romëve, mund të bëjmë presion për shkollimin dhe punësimin e tyre, mund të detyrojmë qeverinë të marrë seriozisht socializimin e tyre në shoqëri, por jo të tallemi me arsye që nuk kanë lidhje me fatin e tyre të keq, vetëm se nuk na e mban të përmendim kush është përgjegjës për ta.
E treta që dua të theksoj është se media, shoqëria civile, por dhe aktorët politikë duhet të jenë seriozë kur flasin për Gërdecin, dhe kur duan ta shikojnë atë si një histori Delijorgjësh. Ajo është një histori e rëndë, me të vdekur që presin në varr drejtësi. Shumë pak njerëz në këtë vend kanë guxuar ta thonë të vërtetën kur ndodhi. Tani që ndodhi dhe që Berisha shkatërroi gjithë shtetin për të mos u vendosur drejtësi për atë gjë, mos ta thjeshtojmë si Gërdeci i Delijorgjëve. Është Gërdeci i Berishëve, dhe pa shkuar ata para drejtësisë për atë që kanë bërë para dhe pas Gërdecit për të mbuluar krimin, ky vend nuk do ketë kurrë qetësi. Por së paku mos vraponi ta mbuloni atë histori me Delijorgjin, të cilit në këtë rast i shkon fjala e urtë popullore, “kali që zihet në lëmë, shin grurin”.
E njëjtë është dhe historia e romëve. Ajo është një histori e rëndë, e prodhuar nga shteti shqiptar, nga qeveritë shqiptare dhe këto tetë vite nga Sali Berisha. Në Tiranë, kampioni i poshtërimit të tyre mbetet Lulëzim Basha, i cili startoi në pushtet me metoda të Ku Klus Klanit ndaj tyre. Avokati i Popullit e ka thjeshtëzuar punën e tij duke u kthyer në qarës hallesh të tyre dhe jo në një aktor që duhet të detyrojë qeverinë të vendosë kuota në buxhet për socializimin e tyre. Mos ia lini Delijorgjit këtë gjëmë, se ka boll dhe pa këtë. Kur nuk guxoni të përmendni Berishën në Gërdec dhe Bashën që djeg barakat e romëve, mos u tallni me ta duke gjetur shkak Delijorgjin, i cili ka ende të patharë lejen e Bashës për të ndërtuar. Nëse e keni vërtet që doni të ndihmoni romët, problemi është shumë më i rëndë se sa ai i një ndërtuesi që po bën një pallat. Është problemi i një pushteti që, nëse nuk ke guxim të përballësh me të, më mirë hesht. Ashtu së paku je në heshtje me romët, që nuk kuptojnë asgjë pse flitet për ta, kur ata vazhdojnë të gdhihen në shi, në rrugë të madhe.