Fushata, 1 milion euro për 532 takime elektorale në dhjetë ditë
Karburanti – Karburanti i përdorur nga stafi elektoral për të organizuar takime elektorale, por edhe për të transportuar njerëzit nga zonat e ndryshme në vendin e takimit dhe anasjelltas përllogaritet në 100 mijë lekë për çdo aktivitet të tillë
Publiciteti – Një shpenzim i lartë që përllogaritet sidomos në rrethe, është hapësira televizive. Çdo kandidat paguan nga 150-250 euro për minutë publikim në formën e publicitetit në televizionet lokale dhe pothuajse ka hapësirë dyminutëshe për çdo takim
Prenotime dhe qira – Ambientet e marra me qira për takime elektorale, sipas zonave të ndryshme variojnë nga 10-15 mijë lekë ora, ndërsa prenotimet e lokaleve variojnë nga 40-60 mijë lekë, duke qenë se përfshihen edhe konsumim pijesh nga të pranishmit
Vëzhgimi
Partitë politike shpenzojnë mesatarisht 2 mijë euro për çdo takim
Bledi Gilaj
Fushata elektorale u kushton partive politike minimalisht 100 mijë euro në ditë vetëm me takimet që zhvillojnë në zona të ndryshme me jo më pak se 100 të pranishëm, por pa përfshirë këtu takimet kryesore që zhvillohen me praninë e kryetarëve respektivë. Kjo kosto totale rezulton nga një vëzhgim i gazetës “Shqip”, ku vihet re se çdo ditë zhvillohen mesatarisht më shumë se 50 takime elektorale, duke përllogaritur këtu vetëm takime, ku është parë e nevojshme prania policore për të garantuar mbarëvajtjen e tyre Takimet elektorale
Por, këto nuk janë takimet e vetme, pasi sipas informacioneve, çdo kandidat për 61 bashkitë e vendit zhvillon të paktën dy aktivitete elektorale. Duke u bazuar në këto shifra dhe duke pasur parasysh se në çdo bashki janë të paktën dy kandidatë, por edhe më shumë (siç është Tirana me 6 kandidatë), takimet elektorale në ditë përllogariten rreth 250 aktivitete elektorale. Megjithatë, në fokusin e vëzhgimit të gazetës “Shqip” janë vënë vetëm takimet elektorale, ku ka qenë e pranishme edhe prania policore, pra që janë ndjekur dhe siguruar nga punonjësit e rendit. Në aktivitete të tilla kanë qenë gjithmonë më shumë se 100 pjesëmarrës. Pikërisht këto takime janë monitoruar për dhjetë ditë dhe rezulton se mesatarisht janë zhvilluar mbi 50 takime në ditë nga të gjitha forcat politike së bashku. Konkretisht, për dhjetë ditët e para të fushatës zyrtare për zgjedhjet vendore, nga data 22-31 maj, në total janë zhvilluar 532 takime elektorale. Nga analiza e shifrave vihet re se ditët e para kanë qenë më të vakëta, ndërsa sa më shumë afrohet 21 qershori, aq më shumë intensifikohen takimet, që rekordin e arrijnë më 28 maj me 67 takime elektorale. Nga informacionet e mbledhura vihet re se kryesisht këto takime janë zhvilluar nga pesë forca politike, konkretisht Partia Socialiste; Partia Demokratike, LSI dhe në zona të veçanta nga PDIU, PR dhe PBDNJ. Ndërkaq, në to nuk janë përfshirë as takimet elektorale të zhvilluara me praninë e krerëve të këtyre forcave politike.
Kostoja e takimit
Çdo takim i tillë ka një kosto të vetën, që zyrtarisht nuk konfirmohet nga asnjë kandidat, por nga stafi i ngushtë i tyre mësohet se arrin shifrën minimalisht 2 mijë euro. Kryesisht kjo kosto përballohet nga kandidati përkatës dhe nga stafi mbështetës i tij. Kjo kosto mësohet se vjen nga një sërë faktorësh, duke filluar që nga pagesat për kameramanë dhe DJ (dixhei), deri te karburanti i konsumuar, prenotimet e lokaleve apo publikimi i kandidatëve në televizione lokale. Çmimet për këto shërbime ndryshojnë nga zona në zonë, ashtu siç ndryshon mënyra e ofrimit të tyre. Sipas të dhënave, një nga shërbimet që ofrohet në çdo takim elektoral të tillë janë fonia dhe videoprojektorët, të cilët përllogariten në kosto nga 20 mijë lekë deri në 40 mijë lekë. Një tjetër shpenzim në nivel të lartë është karburanti i përdorur nga stafi elektoral për të organizuar takime të tilla, por edhe për të transportuar njerëzit nga zonat e ndryshme në vendin e takimit dhe anasjelltas. Një shpenzim i tillë, sipas burimeve pranë shtabeve elektorale përllogaritet në 100 mijë lekë për çdo takim. Po ashtu, një shpenzim tjetër është kamera, ku çmimi është mujor 250-350 mijë lekë, ose 8-10 mijë lekë për takim. Megjithatë, këto nuk janë shpenzimet e vetme në një aktivitet elektoral, pasi aty përfshihen edhe ambientet e marra me qira për takime të tilla, apo prenotime lokalesh, ku e para varion sipas zonave të ndryshme nga 10-15 mijë lekë, ndërsa e dyta nga 40-60 mijë lekë. Madje, çmimet për prenotime lokalesh dhe biznesesh konfirmohet edhe nga vetë poseduesit e tyre. Kurse një shpenzim tjetër tejet i lartë që përllogaritet për aktivitetet e fushatës, sidomos në rrethe, pasi në Tiranë nuk vihet re një fenomen i tillë është hapësira televizive. Sipas të dhënave, çdo kandidat paguan nga 150-250 euro për minutë publikim në formën e publicitetit në televizionet lokale dhe pothuajse ka hapësirë dyminutëshe për çdo takim. Të gjitha këto shpenzime, takime të tilla të marra në analizë nga “Shqip” arrijnë një kosto mesatare në vlerën 2 mijë euro.
Kostoja e 10 ditëve
Duke iu kthyer shifrave të lartpërmendura, që në ditë zhvillohen minimalisht 50 aktivitete elektorale, atëherë një ditë fushatë i kushton 100 mijë euro politikës shqiptare, e cila deri më sot nuk ka pranuar dhe nuk ka bërë transparencë për shpenzimet gjatë zgjedhjeve, qofshin ato vendore ose qendrore. Në dhjetë ditët e para, kjo kosto arrin vlerën e 1 milion eurove, ndërkohë që duke pasur parasysh intensitetin e saj nga dita në ditë, deri më 21 qershor, ajo do kalojë koston e 3 milionë eurove. Por, kjo nuk është e vetmja kosto, pasi këtu nuk janë përllogaritur shumë shpenzime të tjera të forcave politike, siç janë zyrat elektorale me qira, investime të ndryshme personale, që në total mund të arrijnë vlerë më të lartë se kjo. Po ashtu duhet pasur parasysh se në një ditë zhvillohen rreth 250 aktivitete elektorale dhe pavarësisht se janë me përmasa më të vogla, shpenzimet janë të paevitueshme.
Shifrat
Aktivitete me mbi 100 pjesëmarrës në 10 ditë
22 maj, 43 takime elektorale
23 maj, 39 takime elektorale
24 maj, 45 takime elektorale
25 maj, 43 takime elektorale
26 maj, 65 takime elektorale
27 maj, 57 takime elektorale
28 maj, 67 takime elektorale
29 maj, 62 takime elektorale
30 maj, 59 takime elektorale
31 maj, 52 takime elektorale
Totali, 532 takime elektorale
Buxheti i shtetit
Qeveria dha 255 milionë lekë për vendoret
KQZ-ja, në mbështetje të ligjit “Për partitë politike” dhe ligjit “Për buxhetin e vitit 2015”, në mbledhjen e 3 shkurtit, do të miratonte ndarjen e fondit vjetor prej 190 milionë lekësh të reja për partitë politike, fond ky që u shpërnda në bazë të numrit të deputetëve që ato kanë marrë në zgjedhjet e fundit parlamentare, por dhe numrit të votave. Në bazë të kësaj formule, PS-ja përfitoi rreth 73.67 milionë lekë, PD-ja përfitoi 57.17 milionë lekë, ndërsa LSI-ja mori 20.57 milionë lekë. Në listën e fituesve ishin PDIU-ja që përfitoi 7.51 milionë lekë, si edhe PR-ja, e cila përfitoi 6.63 milionë lekë. Një fond të barabartë prej 4.13 milionë lekësh përfituan PBDNJ-ja dhe PKD-ja. Garantimi i mbi 10 mijë votave në garën e fundit zgjedhore i dha të drejtën e përfitimit të fondeve edhe FRD-së, PSD-së, PDS-së, PDK-së, si edhe AK-së, të cilat përfituan nga buxheti i shtetit 3.489.667 lekë secila prej tyre. Ndërkaq, katër ditë më parë, në mbledhjen e saj të fundit dhe vetëm tri javë nga gara e 21 qershorit, Këshilli i Ministrave vendosi në dispozicion të partive politike fondin shtesë prej 65 milionë lekësh të reja, fond ky i nevojshëm për fushatën e zgjedhjeve vendore. “Ky fond u shpërndahet partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2015″, thuhet në pikën 2 të VKM-së, duke saktësuar se ky fond shtesë do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2015. Duke parë këto shifra vihet re se një fond i tillë nuk do të dilte as për dy javë fushatë vetëm për takimet elektorale me mbi 100 pjesëmarrës, pa llogaritur këtu shpenzimet e tjera që janë edhe më të larta.
/GazetaShqip