EUROSTAT: Rritet numri i azilkërkuesve, kosovarët renditen të tretët
Rreth 626,000 njerëz kanë aplikuar për azil në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2014, bazuar në të dhënat e agjencisë evropiane të statistikave Eurostat. Në tremujorin e katërt të 2014, kanë kërkuar azil qyetarë nga 144 vende të botës.
Nga ky numër, të parët janë qytetarët nga Siria të cilët janë larguar nga vendi i tyre i shkatërruar nga lufta. Por në tre nënshtetësitë që kanë kërkuar më shumë azil përfshihen edhe kosovarët: Tre shtetet me më shumë aplikantë janë sirianët, kosovarët edhe afganët.
Në përgjithësi, ka rritje prej 44 për qind të kërkesave për azil në vitin 2014, në krahasim me vitin paraprak. Pothuajse një e treta e aplikimeve për azil janë regjistruar në Gjermani.
Kush regjistrohet si azilkërkues?
Kërkues i azilit do të thotë personi që ka paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare apo që janë përfshirë në procese për bashkim familjar. Në 2014 është llogaritur se 89% e aplikantëve për azil ishin aplikantë për herë të parë dhe rreth 11%, kishin aplikuar më shumë se një herë.
Përqindja e vendimeve pozitive në numrin e përgjithshëm të vendimeve të shkallës së parë vlerësohet të jetë rritur me 5 pikë përqindjeje. /Eurostat