Clinton duket e vendosur të fitojë
Trump sulmon në të gjithë vendin ndërsa ajo kërkon të forcojë pozitën e saj në shtetet e lëkundura pasi FBI-ja tërhoqi akuzat.
Duke u munduar të bllokojë avantazhin e saj elektoral në orët e fundit të fushatës të vitit 2016, Hillary Clinton do të thërrasë aftësitë kolektive të dy presidentëve të fundit Demokratë të hënën, ndërsa Donald Trump po përpiqet ashpër në të gjithë shtetet në një përpjekje të minutës së fundit që të ngjitet në murin e mbështetjes që ajo ka ndërtuar.
Në një njoftim të papritur, vetëm 40 orë para se sondazhet e para ishin vendosur të hapeshin, Drejtori i FBI-së, James Comey i tha Kongresit se e kishte përfunduar shqyrtimin e tij në lidhje me email-et e reja të Clinton vetëm nëntë ditë pasi tronditi garën duke shpallur se kishte një hetim në zhvillim e sipër.
Lajmi i hetimit të tij – dhe lëmshi pasues i fjalëve rikoshet ” FBI”, “e-mail”, dhe “Clinton” në televizione dhe portale lajmesh – e lejuanTrump-in të çante përpara në garën presidenciale, duke e nxjerrë atë nga apatia e sondazheve në fund të tetorit. Menaxherja e fushatës së tij, Kellyanne Conway, u përpoq ta lërë mënjanë njoftimin e Comey-t si të parëndësishëm.
“Ne nuk e kemi vënë në qendër të mesazheve tona,” tha ajo në MSNBC.
Por ama Trump e kishte bërë. Dhe tani nuk mundet më.
Ai e përdori rihapjen e hetimit të FBI-së për të thënë fuqimisht se Clinton ishte kandidatja e problemeve të djeshme, dhe ai ishte i huaji me zgjidhjet e të nesërmes. Hetimi shpejt dhe dukshëm doli në reklama televizive. Dhe vetëm disa orë më parë, Trump në Iowa u shpreh kundër Clinton si “e dyshuara kryesore në një hetim penal me ndikim të gjerë.” Ai vazhdimisht e ka quajtur hetimin e serverit privat me e-mailet e Clinton “më keq se Watergate” gjatë ditëve të fundit.
Por pasi FBI-ja rikonfirmoi konkluzionin e saj të korrikut – kur Comey tha “asnjë prokuror i arsyeshëm” nuk do të ngrinte padi kundër Clinton – Trump u kthye duke dalë kundër “sistemit të manipuluar.”
“Ju duhet të kuptoni, ky është një sistem i manipuluar dhe ajo është e mbrojtur,” tha ai në një tubim në aeroportin e Minnesotës.
Më vonë, në Michigan, Trump vuri në pikëpyetje zgjidhjen e shpejtë të FBI-së. “Ju nuk mund të shqyrtoni 650,000 e-maile në tetë ditë,” tha ai. “Ju nuk mund ta bëni këtë gjë njerëz. Hillary Clinton është fajtore.”
Edhe para se FBI të ngrinte sërish akuzën, raundi i fundit i sondazheve kombëtare publike që dolën të dielën, të gjithë treguan se Clinton ishte në avantazh. Trump dergjej nën 45 përqind në secilin prej tyre. Avantazhi i saj u fuqizua nga treguesit e fortë midis votuesve të pakicave dhe grave, ndërsa totali i Trumpit përbëhej kryesisht nga burra të bardhë.
Hendeku i arsimit ishte i zymtë. Midis votuesve të bardhë në sondazhin e fundit të NBC News / Wall Street Journal, ata pa shkollë të lartë preferonin Trumpin me një diferencë 60 për qind në 30 për qind. Clinton drejtonte me votuesit e bardhë me shkollë të lartë me 10 pikë, 51 për qind me 41 për qind – një 40-pikësh mbresëlënës.
Në prag të zgjedhjeve, tashmë më shumë se 41 milionë fletëvotime janë përhapur në mbarë vendin.
“Edhe pse hapësirat janë ngushtuar disi, bazat e një fitoreje për Clinton janë ende të forta”, tha Jefrey Pollock, një anketues për pro-Clinton super PAC Priorities USA.
Trumpi mbajti pesë mitingje të dielën, duke përfshirë tre në shtetet – Michigan, Virginia dhe Minesota – ku nuk ka patur avantazh në asnjë sondazh. Fushata e tij e ngriti si një shenjë besimi të guximshëm dhe sulm të papritur në territorin e armikut. Fakti se Clinton ka shtuar së fundmi ndalesa praparoje në Michigan, dhe do të dërgojë presidentin Obama atje të hënën u ka dhënë edhe më shumë zemër. ( “Ata po e dërgojnë atë përsëri në Michigan!” bërtiti një këshilltar i Trumpit me gëzim.)
“I bëmë t’ja mbathin”, deklaroi Conway për MNSBC.
Por demokratët thanë se paraqitjet e Trumpit në shtetet ku është e qartë se ai ka mbetur shumë pas, janë thjesht një shenjë që tregojnë se rrugët e tij për 270 vota elektorale janë ngushtuar në pothuajse asgjë – madje edhe para shpalljes së FBI-së në favor të saj. (Një tjetër këshilltar i Trumpit tha se “Michigan me shumë mundësi është nga ato shtete blu, që do të kthehen në republikane”, në krahasim me Pensilvaninë, ku të dy kampet kanë investuar shumë, dhe Wisconsin, ku Trump bëri fushatë javën e kaluar.)
Demokratët janë nxitur nga skenat në një supermarket meksikan në Nevada natën e premte, ku rradhë të gjata votuesish pritën për të votuar. Në total, votat Demokratike janë në avantazh në Clark County, në Las Vegas, që tani është më e madhe se diferenca e Obamës në vitin 2012, kur ai me lehtësi e mori këtë shtet.
“Ka modele të shumta që tregojnë se ajo është në avantazh në gjithë vendin”, tha Pollock për Nevadën, duke vlerësuar se 60 për qind e votave të mundshme tashmë janë hedhur. “Dhe në se është kështu, kjo do të thotë se Donald Trumpit do ti duhet të fitojë në Nevada në ditën e zgjedhjeve me dhjetë për qind në mënyrë që gara të bëhet e barabartë. Kjo nuk është një pengesë. Kjo është një mal me pengesa.”
Një strateg i njohur republikan pranoi , “Numrat fillestarë të votimit në Nevada më trembën shumë. Shpresoj që nga kjo të mos humbasim vendet që kemi në Senat dhe zgjedhjet e Kongresit.”
Të dielën, Clinton u shfaq në një kishë për njerëz me ngjyrë në Filadelfia dhe më pas u nis për në Cleveland për të bërë fushatë me yllin e basketbollit LeBron James. Ajo ishte në ajër kur doli lajmi i FBI-së, dhe ajo zbriti nga avioni së bashku me një nga mikeshat e saj më të vjetra dhe më të ngushta, Cheryl Mills. Në mbrëmje, ajo foli për mbështetësit në New Hampshire.
Në ditën e saj të fundit të fushatës, Clinton do të fillojë me një ndalesë në Grand Rapids, Michigan dhe pastaj tubimi në Filadelfia, ku do të marrin pjesë Presidenti Obama, Zonja e Parë Michelle Obama dhe ish-presidenti Bill Clinton. Ky do të jetë tubimi i parë i përbashkët për dy çiftet Demokratë. Duke i shtuar yje ngjarjes, fushata njoftoi se Bruce Springsteen do të performojë, duke përsëritur një rol përmbyllës që ylli i rokut mbajti për Obamën në vitin 2012 dhe John Kerry-n në vitin 2004.
Një nga arsyet pse Clinton është fokusuar në Pensilvani dhe Michigan në ditët e fundit është se këto dy shtete nuk lejojnë votim të hershëm, që do të thotë se motivimi i mbështetësve në prag të zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm. Clinton po ashtu do të mbajë një miting në mesnatë në Karolinën e Veriut të hënën.
Clinton nuk po bën thjesht argumentin e saj përmbyllës. Ajo ka rezervuar një reklamë të shtrenjtë dy minutëshe që do të shfaqet në The Voice të NBC-së dhe Kevin can wait të CBS-së për të arritur një audiencë masive të përllogaritur prej 20 milion shikuesish. Fushata e faturon reklamën e veçantë si një “mesazh unifikues”.
Trump do të sulmojë rrufeshëm nëpër pesë shtete të hënën, duke shkuar nga Florida në Karolinën e Veriut në Pensilvani në New Hampshire e në Michigan – pak a shumë njësoj si Klinton.
Shumë nga tubimet e tij janë organizuar për çështje orësh. Trump arriti në Minnesota të dielën, për shembull, pasi anuloi një miting në Wisconsin që do të kishte konkuruar me një lojë futbolli të Green Bay Packers. Kur ai pa një turmë të mbërthyer pas një gardhi jashtë hangarit të aeroplanit ku ai po fliste, Trump pyeti stafin e tij.
“Kush janë gjenitë që e caktuan këtë miting?” tha Trump.
Kjo ishte ndalesa e parë e Trumpit në Minesota dhe ishte e paqartë nëse fushata e tij kishte anketuar një shtet ku Obama fitoi me rreth 8 pikë përqindje. Dukej se Trump kishte parë mbulimin televiziv të paraqitjes së tij të pazakontë në këtë shtet para se të vinte.
“Nëse nuk do e fitoj Minnesotën, do të dal keq para atyre ekspertëve”, ka thënë Trump për kritikët e tij. “Deri më tani, gjatë dy viteve, unë kam patur të drejtë dhe ata kanë qenë gabim.”
Ai premtoi se kishte edhe një as nën mëngë. “Ne do të kemi një surprizë të martën,” parashikoi ai./A.A.