Ambasadori gjerman: Politika shqiptare është marrë pak me emigrimin
Ambasadori gjerman në vendin tonë, fajëson qeverinë dhe politikën shqiptare për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Helmut Hoffman thotë në një intervistë se për të ndalur fenomenin e azilkërkuesve, qeveria shqiptare duhet të rikthejë shpresën.
Në mënyrë që të parandalohet fenomeni i largimit të shqiptarëve nga vendi i tyre për kërkimin e azilit në shtetin e Gjermanisë, është detyrë e qeverisë, që të rikthejë shpresën te shqiptarët, se zhvillimet që do të vijnë të sjellin optimizmin e një jete më të mirë për në vendin e tyre.
“T’ua bëjnë atyre të qartë se cilat janë dëmet konkrete, se si dëmtojnë ata veten, se si dëmtojnë vendin pas këtyre ikjeve dhe në tërësi është mjaft e rëndësishme që te njerëzit të rilindë shpresa, që njerëzit të mund të jenë optimistë, që gjërat këtu në vend do të zhvillohen në mënyrë pozitive. Ne si partnerë të Shqipërisë, Gjermania, por edhe vende të tjera të BE-së, përpiqemi të kontribuojnë në mënyrë konkrete në këtë drejtim”, tha ambasadori gjerman.
Ai thotë se qeveria shqiptare duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje trajtimit të këtij fenomeni, pasi largimi i shqiptarëve nga vendi i tyre nuk lë një shije të mirë në syrin e vendeve të Bashkimit Europian, aty ku Shqipëria synon që të integrohet.
“Në qoftë se do të kthejmë sytë pas në zhvillimet e fundit, edhe mua më bie në sy që politika shqiptare është marrë pak me këtë tematikë dhe është shprehur pak rreth kësaj teme. Do të ishte mjaft e dobishme nëse do të fillonte një debat publik në lidhje me këtë temë.
Pse njerëzit largohen nga vendi, çfarë do të thotë për vendin ky largim?
Cilat janë pasojat e këtij zhvillimi pikërisht për vendin?
Për Gjermaninë, në momentin që shqiptarët vijnë në Gjermani dhe kërkojnë azil atje, atëherë pyetja e parë që iu lind në kokë është se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri dhe në këtë moment krijohet një efekt negativ psikologjik për sa i përket ambicies së Shqipërisë për t’u bërë dikur anëtare e Bashkimit Europian”, thotë më tej ambasadori gjerman.
Diplomati gjerman konfirmoi edhe një herë përshpejtimin e procedurave të verifikimit për kërkesat e azilkërkuesve të Ballkanit Perëndimor, duke përcaktuar afatin prej katër javësh.